Ndryshimet klimatike i kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më të rrezikuara, sidomos nga rënia e zjarreve në pyje. Viti 2024 shënoi dëmet më të mëdha të dekadës së fundit nga zjarret në pyje në Shqipëri dhe në Kosovë, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), që siguron të dhëna mbi zjarret dhe sipërfaqet e djegura nga monitorimi satelitor.
Sipas të dhënave të EFFIS, në Shqipëri u shënuan gjatë këtij viti 168 zjarre, të cilat dogjën 46 mijë e 534 hektarë, ndërsa në Kosovë u shënuan 94 zjarre që dogjën 12 mijë e 79 hektare pyje dhe shkurre. Shqipëria kishte pa shënuar këto shifra që nga viti 2012 kur në zona të ndryshme të vendit ishin djegur 53 mijë e 459 hektarë nga 149 zjarre, ndërsa Kosova që nga viti 2007 kur ishin shënuar 22 zjarre që kishin djegur 16 mijë e 246 hektarë me pyje dhe kullota.
Në vendet e Ballkanit Peëndimor dëmet më të mëdha nga zjarret në pyje gjatë vitit 2024 janë shënuar në Maqedoninë e Veriut ku sipas sistemit EFFIS u dogjën 95 mijë e 181 hektarë nga 131 zjarre që u shënuan gjithësejt, ndërsa në Bosnjë Herzegovinë u dogjën 43mijë e 571 hektarë nga 178 zjarre, në Serbi 38 mijë e 954 hektarë nga 226 zjarre dhe në Malin e Zi 23 mijë e 54 hektarë nga 135 zjarre.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut aktivizuan disa here gjatë këtij viti Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile me ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreveve në pamundësi për të kontrolluar situatën për shkak të kapaciteteve të vogla të mjeteve zjarrfikese dhe burimeve njerëzore. Në disa zona në jug të Shqipërisë në Qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës zjarret rrezikuan fshatra të vegjël të cilat viteve të fundit pothuajse janë zbrazur nga largimi banorëve në emigracion. Largimi i banorëve sipas ekspertëve të emergjencave e bën situatën më të vështirë pasi mungojnë burimet njerëzore për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri e shpalli 2024 si ‘Viti i Pyjeve” më përpjekje për të rritur sipërfaqet e reja pyjore dhe ndërgjegjësimin për qeevritë vendore dhe komunitete locale të bëjnë ëm shumë ëpr mbrtoejn e shtimine kësaj pasurie Por krahas dëmit nga zjarret e këtij viti ekspertët e pyjeve vlerësojnë se pjesa dërmuese e bashkive që administrojnë rreth 90% të sipërfaqeve pyjore në vend nuk kanë paraqitur programe investimesh për mbjellje fidanësh dhe ripërtëritjen e zonave pyjore të dëmtuara nga zjarret masive.
Një Raport i Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, publikuar në nëntor të këtij viti nxjerr në dukje nevojën e vendeve ballkanike për të investuar në zvogëlimin e risqeve që po sjellin gjithnjë e më shumë ndryshimet klimatike globale. Sipas Raportit, Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat nga rreziku në rritje i përballjes me përmbytjet, zjarret në pyje, tërmetet dhe rrëshqitjet e dheut, ndërsa Kosova do të duhet të investojë rreth 2.8 miliardë dollarë amerikanë gjatë dekadës së ardhshme.
Raporti i Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin për Shqipërinë vlerëson se “rreth 95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur dy dekadat e fundit nga këto fatkeqësi natyrore dhe klimatike, të cilat janë shpeshtuar dhe ashpërsuar” Ndërsa lidhur me Kosovën raporti pohon se aktualisht, 36.8 për qind e sipërfaqes totale të vendit është nën risk mesatar nga zjarret dhe 15.8 për qind nën risk të lartë nga zjarret. Zonat malore të vendit janë të ekspozuara ndaj rrisqeve të rrëshqitjeve, thuhet në raport./ VOA