Nga Boldnews.al
Për Nadir Çaushollin e “CFO-Pharma” vlen më së miri shprehja “pas një te keqe, vjen një e mirë!”
Në mes të korrikut të këtij viti, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) e përjashtoi kompaninë farmaceutike për një vit nga përfitimi i kontratave publike, për shkak të abuzimeve në një procedurë tenderuese të zhvilluar nga Spitali Psikiatrik i Vlorës.
Por, pa kaluar dy javë nga ky penalitet, “CFO Pharma” merr një dhuratë, kësaj radhe drejtëpërdrejtë me firmën e kryeministrit të gjithëpushtetshëm, Edi Rama.
Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), në një mbledhje të zhvilluar së fundmi, miratoi “Leje Ndërtimi për objektin: “Agropylltari, bujtina dhe fermë në funksion të agropylltarisë”, me vendndodhje në Autostradën Tiranë – Elbasan, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “CFO Pharma” sh.p.k”.
Çausholli është një personazh i njohur në botën e biznesit, por edhe në atë të kronikës së zezë.
Disa vjet më parë, kur ai drejtonte shoqërinë “Omega Pharma”, u arrestua si i përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve në një vlerë mbi 2 milionë euro.
Pasi bëri disa muaj paraburgim, Nadir Çausholli u lirua nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Ai iu rikthye biznesit farmaceutik, duke ndryshuar emrin e shoqërisë, nga “Omega” tek “CFO Pharma”.
Me lidhjet e duhura, sidomos me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Çausholli zgjeron biznesin e tij, duke u përfshirë në fushën e shërbimit të autobusëve urbanë.
Edhe këtu nuk i shpëton kronikës së zezë.
Autobusët e Çaushollit, të cilët operojnë në linjën e Unazës së mesme Tiranës, janë përfshirë shpesh në aksidente.
Njëri prej tyre ka qenë më spektakolari i ndodhur në Shqipëri, por që bëri lajm edhe në median ndërkombëtare.
Mbrëmjen e 30 Prillit 2022, autobusi i Unazës, në pronësi të Çaushollit, u rrëzua në Lanë, fatmirësisht pa pasojë në jetë njerëzish.
Veliaj, për të amortizuar sa më shumë efektin dëmtues ndaj imazhit të mikut të tij, Çausholli, u shfaq në media dhe deklaroi se “autobusi do të bëhej një lloj instalacioni artistik”, ndërkohë që nuk foli për asnjë lloj përgjegjësie apo penaliteti mbi kompaninë “CFO Pharma”, e kontraktuar nga vetë kryebashkiaku për të kryer shërbimin në Tiranë.
Kjo tolerancë e Veliajt bëri që autobusët e Çaushollit të ndiheshin “mbret” në rrugët e kryeqytetit. Madje, falë këtij “mbretërimi”, një tjetër mjet i flotës së Nadirit aksidentoi rreth 10 automjete, në mes të ditës, në zonën e Shallvareve, në 27 Shkurt 2023.
Mesa duket, këto raste ia kanë vështirësuar jetën në qytet Nadir Çaushollit, i cili ka vendosur të qëndrojë larg rrëmujës e rrëmetit të Tiranës.
Me ndihmën e Ramës, ai ka vendosur të shndërrohet në fermer. Natyrisht, jo fermer i rangut të ulët, të cilit i duhet të punojë me parmendë. Por, një fermer i sërës së lartë, me biznes agroturizmi.
LEXO EDHE:
Vendimi/ CFO Pharma e Nadir Çaushollit përjashtohet nga tenderat, mashtroi autoritetet