Nga Boldnews.al
Një projekt, i ngjashëm me atë të arabëve në Portin e Durrësit, ka filluar të zbatohet në territorin e Portit të Vlorës. Një pronë e stërmadhe shtetërore iu është dhënë disa firmave, të kryesuara nga “Balfin” në pronësi të Samir Manes. Dhe, mbi territorin aktual të Portit të Vlorës, do të ndërtohen pallate shumëkatëshe, ku apartamentet e së cilave kanë filluar të shiten.
Një skemë tepër e dyshimtë, pasi me koncesione dhe vendime strategjike, firmat kanë marrë para’ dhe kanë përfituar prona publike (këto me 1 euro). Pra, nga njëra anë ku po bëhet “nami” me Arabët, Samir Mane nga ana tjetër po bën “kërdinë”, pasi me disa të rëna të lapsit ka marrë fillimisht koncesionin për ndërtimin e një porti jahtesh dhe më pas me vendimin e Komitetit të Vendimeve Strategjike, të kryesuar nga Edi Rama, ka përfituar qindra mijëra metra katrorë, ku do ndërtohen pallate shumëkatëshe.
Maketi i prezantuar i ‘Balfin’ për ndërtimin e pallateve në territorin e Portit të Vlorës
BoldNews.al bëri një vëzhgim në faqen e internetit të “Vlora Marina”. Siç po e shikoni në fotot e mësipërme, ky projekt ka filluar të marrë jetë. Projekti është prezantuar nga kompania “Balfin”, ku thuhet se “Vlora Marina është një nga projektet më sfiduese të grupin ‘Balfin’ dhe do të jetë marina e parë premium aktive në Shqipëri me potencial për t’u bërë marina më e mirë e rajonit. Projekti përmban një arkitekturë bashkëkohore në qendrën premtuese dhe më dinamike të qytetit me trafik të lartë turistësh dhe vizitorësh”.
Sipas të njëjtës faqe, “sheshi qendror do të presë kafenetë dhe restorante premium në afërsi të zonave argëtuese, sportive dhe relaksuese. Përveç zonave të mësipërme, zhvillimi ndodhet pranë 2 parqeve me një sipërfaqe 20.000 m2 secili”.
Por, shikoni se çfarë “ndihme” i ka dhënë qeveria! FSHZH dhe disa institucione të tjera kanë bërë disa tendera për rrugë dhe sheshe në afërsi të Portit të Vlorës. Këto sheshe dhe rrugë do të përdoren pikërisht për zonën rezidenciale që ka filluar të projektohet dhe së shpejti do të ndërtohet.

Por, çfarë skeme përdorën këto firma për të arritur të “Vlora Marina”?! Fillimisht, në mars të vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e tenderit “bashkimi i përkohshëm i shoqërive ‘Marina di Valona’ për dhënien me koncesion/PPP të një porti turistik në qytetin e Vlorës ‘Marina Vlorë’, propozim i pakërkuar”.
Përshkrimi i kontratës është “projektim, financim, ndërtim, vënie në operim, administrim dhe mirëmbajtjen e një porti turistik në qytetin e Vlorës ‘Marina Vlorë’, me vendndodhje në qytetin e Vlorës dhe konkretisht në portin aktual të këtij qyteti”. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është plot 35 vjet.
Koncesionin e fitoi bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Marina di Valona”, “Marina Projects”, “Brunes” dhe “Ndregjoni” me vlerë investimi prej 22.842.417 euro pa TVSH.

Por, a mjaftoi?! Natyrisht që jo, pasi në të njëjtën kohë kur edhe u shpallën fituese të koncesionit, të njëjta firma u shpallën edhe investitorë strategjikë nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, vendimi i mësipërm është i datës 29 mars 2021, me objekt “për miratimin e statusit ‘investim/investitor strategjik procedurë e veçantë’ për projektin e investimit ‘Marina di Valona’ me subjekt aplikues bashkimi i shoqërive (jv) ‘Marina di Valona’, ‘Brunes’, ‘Ndregjoni’ dhe ‘Marina Projects'”. Pra, të njëjtat që fituan edhe koncesionin për ndërtimin e Portit! Nga njëra anë marrin para’ publike për ndërtimin e portit dhe nga ana tjetër marrin tokë shtetërore falas për ndërtimin e pallate. Goxha biznes!
Në të njëjtin dokument thuhet se vlera e investimit të projektit ‘Marina di Valona’ plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 105.000.000 euro. “Projekti plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1000 persona”, thuhet në këtë dokument, ndërsa përcakton se projekti propozohet si një projekt i integruar i cili konsiston në zhvillimin e një infrastrukture koncensionare portuale turistike si dhe zhvillimin e njësive akomoduese, hoteleri e shërbime të standardizuara të zonës në kufi me infrastrukturën portuale.
“Statusi strategjik me procedurë të veçantë kërkohet nga subjekti aplikues për zhvillimin e njësive akomoduese, hoteleri e shërbime të standardizuara të zonës në kufi me infrastrukturën portuale koncensionare, në ZK. Nr. 8602, aktualisht në pronësi të Portit Detar Vlorë sh.a”, thuhet në vendim. Pra, ka marrë tokë shtetërore për të ndërtuar rezidenca private. E njëjta skemë me atë të Portit të Durrësit, por kësaj herë shumë më e kamufluar.