Vehap Kola i cilëson takimet e ish-kryeministrit Sali Berisha nëpër Shqipëri si guerrile. me anë të një psotimi në Facebook, Kola shkruan se edhe shpallja e datës së zgjedhjeve të pjesshme nga Meta tregoi atë që thotë Lulzim Basha që ‘Trekëndëshi i Bermudës’ synon të dobësojë PD-në.
Sipas Kolës edhe thirrjet e Berishës apo mbëhstetësve të tyre për primater nuk janë të sinqerta, pasi të gjithë e dinë se si veprohet në këto raste.
Ndërkohë Kola ka mbështetur nismën e Lulzim Bashës i cili edhe ky ka nisur një tur me demokratët.
Postimi i Kolës:
Make it, don’t fake it!
Vendimi i Presidentit Meta për të shpallur zgjedhje të pjesshme lokale në 6 mars është njohur gjerësisht si taktikë e trekëndëshit të Bermudës, siç e quan Basha, për të vazhduar me mjete të tjera luftën brenda opozitës. Zhvendosja në një fushë kombëtare e ndeshjes Basha-Berisha nuk e ndryshon objektivin e kësaj përballjeje: kush do ta ketë PD-në.
Tani, e lehtësuar edhe nga dështimi i saj pëe të marrë PDnë, lëvizja Berisha ka nisur një fushatë guerrile të marketingut politik dhe organizimit në një subjekt apo markë tjetër politike. Anëtarësimet në këtë markë, që ndoshta do të jetë partia e të ikurve të radhës nga PD, kanë filluar. Eksponentët e saj kanë paralajmëruar “primare” për të zgjedhur kandidaturat.
Se sa reale do të jenë këto primare, mund të merret me mend nga gjithkush. Por në stadiumin politik të ditës ato do të simulojnë një garë që do të përfshijë emocionalisht disa demokratë dhe do t’u falë atyre një eksperiencë politike të domosdoshme për të farkëtuar një identitet të dallueshëm nga pjesa tjetër e demokratëve.
Duke pranuar se kjo është një seancë stërvitore e zhvendosur në një fushë të kategorisë superiore, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha duhet të bëjnë pjesën e tyre për ta qartësuar dallimin ndërmjet modelit politik të tranzicionit dhe modelit politik post-tranzicion që ajo premton të sjellë në fushë. Pra, duhet ta bëjnë reale garën brenda PD-së dhe jo ta simulojnë.
Strukturat i kanë. Kandidatët janë të njohur që nga procesi i pëezgjedhjes së kandidaturave. Të tjerë kandidatë le t’i shtohen garës. Turi i Bashës në bazë le të shërbejë pikërisht për këtë: realizimin e një procesi të vërtetë primaresh në 6 qytetet ku do të ketë zgjedhje në 6 mars.
Tradita e filluar në verën e vitit 2020 është një shkallë e ngjitur në këtë drejtim. Përvoja e saj nuk është e keqe. Në fakt ajo prodhoi një rezultat shumë më të mirë se lista e PD në zgjedhjet e 25 prillit. Pra, procesi ka mbetur pikërisht aty ku gara u ndërpre nga drejtimi i lartë i PDsë dhe cilësia e tij ra.
Gara është një vlerë sipërore në botën demokratike. Kufizimi apo mënjanimi i saj nuk mund të pranohet si vlerë më e lartë. Prandaj, PD duhet ta vazhdojë traditën e mirë dhe ta pastrojë atë nga gabimet. Ta bëjë të vërtetë garën që përparësinë në këtë luftë të brendshme ta marrë përmbajtja dhe jo skena.