Premiera e filmit të james Bond “S´ka kohë për të vdekur” ka dhuruar një paradë mode në Tiranë. Jo të modeleve, por të politikanëve, drejtuesve të institucioneve, ambasadorëve dhe të ftuarve të tjerë, që as më shumë e as më pak për disa momente ishin në qendër të vëmendjes.
Por “ylli i mbrëmjes” ishte Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili herë shfaqej si i përulur dhe herë shfaqte superioritetin përpara të ftuarve.
Fotot e mëposhtme tregojnë disa nga momentet pikante, ku Veliaj para ambasadores amerikane Yuri Kim, shfaqet i krrusur, një pamje që kohë më parë e bënte para Presidentit Ilir Meta.
Në një tjetër moment, Veliaj shtrëngon duart kalimthi me Arben Krajën e SPAK, institucioni që u ngrit për të hetuar zyrtarët e lartë, një pjesë e të cilëve ndoshta ndodheshin pikërisht në atë sallën e kinemasë.
Bledi Çuçi si ministër i Brendshëm shfaqet duke biseduar me Kryeprokurorin Olsian Çela, i cili prej kohësh nuk shfaqet në publik, dhe duket se vëmendjen ia ka rrëmbyer kolegu i tij te SPAK, Kraja.
Ky i fundit shfaqet duke pozuar me drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ndërsa Veliaj shfaqet në foto me pothuajse çdo personazh VIP të ftuar ose të pranishëm.