NASA ka publikuar foto nga situata e zjarreve në Botë, mes të tjerave edhe për Shqipërinë. Prej javësh Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar të zjarreve, por ajo që e bën edhe më problematike, është fakti se zjarrfikësit shqiptarë dhe Forcat e Armatosura nuk kanë mjetet e duhura për t´u përballur me flakët. Kjo evidentohet shumë lehtë po të shihen fotot e ekipeve zjarrfikëse, që hyjnë në zona mjaft të rrezikshme, pa pasur as veshjet e posaçme, as mjetet e duhura, ndërsa u sugjerohet të shuajnë zjarret me lopata, kazma, sopata, degë pemësh, apo kova me ujë që duhet t´i mbushin me krah dhe po ashtu t´i zbrasin.
E pavarësisht se mund të jenë shpenzuar miliona euro apo dollarë në letra për veshje e pajisje, situatat që shfaqen tregojnë se sot zjarrfikësit apo FA-të e angazhuara, janë me rrobat e një dite të zakonshme, por që përballen me situata të pazakonta.
Hapësira të mëdha pyjesh dhe shkurresh në të gjithë vendin, nga veriu në jug, janë djegur.
Fillimisht zjarret nisën rrezikshëm në zonën e Karaburunit në Vlorë, ndërsa vatra u zgjerua duke detyruar autoritetet që të ndërhyjnë edhe me helikopter.
Një hartë satelitore e përditësuar nga NASA tregon se vatra më problematike fillimisht ishte ajo e Karaburunit duke djegur dhjetra hektarë pyje dhe shkurre.
Zjarret në Karaburun dhe zonat malore përreth filluan nga fundi i Korrikut duke ardhur në tkurrje gjatë fillimit të gushtit.
Zjarri në fshatrat e Gjirokastrës nuk duket të ketë qenë me një intensitet të madh, megjithatë aty u shënua edhe viktima e parë nga flakët në Shqipëri.
Në datat 6-7 gusht në hartë shfaqet një njollë e madhe e kuqe në zonën e Korçës, ku aty flakët po ashtu dogjën hapësira të mëdha.
Gjatë ditëve të fundit vatrat e zjarrit janë përhapur në zonën veri-perëndimore dhe veriore të vendit si në qarqet e Lezhës, Shkodrës dhe Kukësit, ku gjatë orëve të natës, ishte një situatë mjaft e rëndë, veçanërisht në Kalimash, kontrolli mbi të cilën u vu gjatë orëve të para të së martës.
Galeria e fotove më poshtë përfshin situatën e zjarreve në vend, sipas NASA, në datat 1, 3, 5, 7 dhe 10 gusht.