Rama vazhdon të favorizojë oligarkun Samir Mane, i zgjat me 30 vjet shfrytëzimin e plazhit në Palasë

Qeveria Rama i ka zgjatur afatin e përdorimit të bregdetit oligarkut Samir Mane, që përmes kompanisë Green Coast, do të mund të shfrytëzojë për 30 vjet, nga 20 që ishte, zonën në Palasë.

Zgjatja e afatit të përdorimit të bregdetit për oligarkun Mane vjen pak ditë pas vendimeve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili i dha dy leje. Një nga lejet ka lidhje me një restort turistik të emërtuar Green Coast 3 një projekt që duket se do të jetë vazhdim i atij ekzistues, si dhe një leje zhvillimi për objektin: “Green Coast Hotel”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k.

Për ti shtuar 10 vite, vendimit të mëparshëm lidhur me shfrytëzimin e bregdetit, Qeveria ka miratuar një vendim të veçantë, duke zgjatur jo vetëm afatin e përdorimit nga 20 në 30 vjet, por duke ndryshuar edhe koordinatat e sipërfaqes së lejuar që më herët ishte përcaktuar nga vendimi i Këshillit të Investimeve Strategjike.

Kordinatat e reja janë brenda asaj që ka përcaktuar Qeveria në vendim dhe përmes një shtojce, e cila ende nuk është është publike. Në vendim thuhet se pagesa kryhet çdo vit, bazuar në sipërfaqen, objekt përdorimi.

“Përjashtimisht, kontrata mund të rishikohet me kërkesë të investitorit strategjik “Green Coast”, në rast se kërkohen të shtohen sipërfaqe plazhi në përdorim, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar, sipas shtojcës nr.1 bashkëlidhur këtij vendimi”, thuhet në një nga pikat që i janë shtuar vendimit të ri të Qeverisë.

LEXO EDHE  Merr flake në ecje makina në Bajpasin e Vlorës

I njëjti ka hequr edhe afatin e shfytëzimit që më herët ishte përcaktuar në 15 maj-30 shtator.

Green Coast është cilësuar si investitor strategjik, përmes një vendimi të Këshillit të Investimeve Strategjike të vitit 2016.

Sipas këtij vendimi, projekti parashikonte investime në fushën e turizmit ku ndër të tjera ndërtimin e një kompleksi turistik, i cili shtrihet në një sipërfaqe totale prej 183,500 m2, me Nr. Pasurie nga 40 deri në 78, të ndodhura në zonën kadastrale 1481, në Palasë, Dhërmi, Himarë.

Vlera e investimit në atë kohë u raportua 52 milionë euro. Por Green Coast do të merrte sërish statusin e investitorit strategjik me një projekt në vitin 2020.

Këtë herë bëhej fjalë për ndërtimin e e 1 (një) hoteli të standardit 5 yje dhe kompleks turistik “Green Coast”, në një sipërfaqe prej 217.659 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 73.138 m2, si dhe 1 (një) hotel të standardit 5 yje “White Sensation”, me sipërfaqe trualli 10.600 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 8.175 m2, në Dhrale, Vlorë.

Gjatë kësaj jave, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dy leje një në lidhje me një restort turistik të emërtuar Green Coast 3 një projekt që duket se do të jetë vazhdim i atij ekzistues si dhe një leje zhvillimi për objektin: “Green Coast Hotel”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k.