Kategoria Superiore/ Spektakël në Vlorë, Bylisi gjunjëzon Flamurtarin në “frymën” e fundit

Flamurtari edhe pse i konfirmuar në Kategorinë e Dytë për sezonin e ardhshëm, ka zhvilluar një ndeshje plot karakter ndaj Bylist në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Kategorisë Superiore.

Vlonjatët ishin shumë pranë barazimit, por Bylisi shpëtoi me një gol të vonë të shënuar në minutën e fundit të lojës. Minutat e para të kësaj sfide nuk pati shumë raste, por goli erdhi pas gjysmë ore loje. Sulmuesi Flosard Malçi shënoi në portën e Moçkës, por avantazhi nuk zgjati shumë. Ishte Ardit Hopxhaj ai që shënoi dhe vendosi baraspeshën në Vlorë.

Në të dytën Bylisi u hodh në sulm për të rikthyer epërsinë dhe ia doli. Peçi fitoi një penallti, që vendasit e protestuan. Gjithsesi arbitri Ziri ishte i vendosur dhe Hidi nuk gaboi.

LEXO EDHE  Skriniar pritet të jetë gati për përballjen e Interit ndaj Real Madrid

Pavarësisht kësaj, Flamurtari nuk u dorëzua dhe në një nga sulmet në zonën e Bylisit,fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Ribaj.

Minutat në vazhdim patën goxha tension dhe miqtë pretenduan edhe për një penallti në minutat shtesë, kur edhe Flamurtari mbeti me një lojtar më pak për shkak të ndëshkimit të të riut Balilaj. Ballshiotët u munduan shumë që të shënonin golin e fitores me anë të Malçit, që i dha fitoren skuadrës së tij.