“Konçensioni i fshehur”/ Përplasja, Çuçi “eleminoi” AKU-në për biznesmenin Petrit Maho

Nga BoldNews.al

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), institucioni përgjegjës për sigurinë ushqimore në vend, duket se është anashkaluar tërësisht nga Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, kur, në Shtator 2019, nënshkroi një lloj kontratë me kompaninë private “Noval”, të ngjashme me koncensionet, për kryerjen e analizat e mostrave ushqimore.

Në 23 Shtator 2019, ministri Çuçi miratori Urdhërin nr. 524, në bazë të të cilit autorizonte kompaninë shqiptare “Noval” për të kryer analizat e mostrave ushqimore, të cilat merreshin gjatë kontrolleve në terren nga ana e inspektorëve shtetërorë të Autoriteti Kombëtar të Ushqimit.

Pikëpyetjet mbi “koncensionin” e Çuçit

Urdhëri i ministrit të Bujqësisë, në një lloj forme, eleminonte laboratorët e çertifikuar të AKU-së dhe ia kalonte shërbimin shoqërisë private, të drejtuar nga biznesmeni Petrit Maho.

Raporti i krijuar mes ministrit Çuçi dhe “Noval” të biznesmenit Maho, duket se e ka gjetur të papërgatitur Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, struktura e vetme përgjegjëse për sigurinë ushqimore.

Në një komunikim zyrtar me “Boldnews.al”, AKU deklaron se “Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konsultohet për çdo akt me Drejtoritë Teknike dhe Institucionet në varësi, duke përfshirë këtu dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit…”.

Por, e pyetur specifikisht nëse AKU ka dhënë një opinion apo qëndrim lidhur me urdhërin e ministrit të Bujqësisë lidhur me kompaninë “Noval”, zyrtarët e këtij institucioni dëshmon një realitet tjetër.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si institucion nën varësinë e Minsitrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është institucion në nivel ligjzbatues dhe si i tillë nuk pozicionohet apo mban qëndrime, pasi janë institucione të tjera në nivel politikëbërje/ligjbërje që miratojnë Urdhëra, Udhëzime, VKM dhe Ligje”, shprehet AKU në përgjigje për redaksinë.

Laboratorët, pjesë e Sektorëve të Shërbimeve Laboratorike të AKU, janë laboratorë të cilët kryejnë analiza në kuadër kontrolli zyrtar për mostra të planifikuara në Planin Kombëtar të Kontrolleve Zyrtare me Bazë Risku dhe marrjes së mostrave për ushqimin…, të cilat janë të destinuara për t’u nxjerrë në treg”, deklaron AKU për “Boldnews.al”.

Në vijim, institucioni përgjegjës për sigurinë ushqimore, jep një detaj shumë të rëndësishëm.

Evidentojmë se Laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë (ISUV) janë laboratorë reference, për çdo analizë të kryer, për kontrollin zyrtar të sigurisë së ushqimeve”, thotë AKU.

Referuar këtyre të dhënave dhe, sidomos faktit që laboratorët e AKU janë të çertifikuar, janë funksionalë dhe shërbejnë si referencë për çdo analizë të kryer, duket tërësisht i paqartë se angazhimin e ministrit Çuçi për përfshirjen e kompanisë private “Noval” në analizimin e mostrave ushqimore.

“Noval” dhe lidhja me PS

“Boldnews.al” ka raportuar më herët se kompania “Noval” është në pronësi të biznesmenit Petrit Maho, i cili ka rekorde në bashkëpunimin dhe ortakërinë me eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste në pushtet.

Petrit Maho ka nisur aktivitetin privat rreth 20 vjet më parë. Në vitin 1996 ai krijon kompaninë “Jona” shpk, me objekt prodhimet farmaceutike. Në vitin 2004, Maho i ndryshon emrin kompanisë, duke e quajtur “Intermed”.

LEXO EDHE  Bejko: Ndërkombëtarët po kërcënojnë Ramën, ai po përpëlitet

Transaksionet me Radovanin e Shkodrës

Maho, në vitin 2013, krijon raporte biznesi me Paulin Radovanin, i cili, në Tetor të atij viti, emërohet Prefekt i Qarkut të Shkodrës, me firmë të kryeministrit Edi Rama.

Radovani ishte aksioneri kryesor i “Radofarma depo veterinare”, e krijuar në vitin 2011, e cila më pas u emërtua “Medica-Vet”. Kjo kompani ka si aktivitet të saj tregtinë e barnave për kafshët.

Paulin Radovani, në vitin 2005 zgjeron aktivitetin e tij, duke qenë aksioneri kryesor i shoqërisë “Noval”, së bashku me tre ortakë të tjerë, dy prej të cilëve shtetas italianë.

Në vitin 2013, kur Radovani po përgatitej të merrte postin e prefektit të Qarkut Shkodër, ai vendos të shesë kompanitë e tij. Blerësi ishte i njëjti-Petri Maho i kompanisë “Intermed”.

Petrit Maho blen “Radofarma-n” (Medica-Vet) për vlerën 100 mijë lekë të reja. Gjithashtu, “Intermed” e Petrit Mahos blen për 1.6 milionë lekë të reja edhe kompaninë tjetër të Radovanit, “Novel”.

Prej asaj kohe, “Medica-Vet” dhe “Novel” janë në pronësi të biznesmenit Petrit Maho.

Ortakëria me Tom Doshin

Petrit Maho është ortaku i vetëm i kompanisë së pularisë “Beata”, e themeluar prej tij në Prill 2014. Vetëm pak muaj pas krijimit të saj, Maho u shet një pjesë të aksioneve të tij të ndjerit Dritan Prifti dhe politikanit-biznesmen, Tom Doshi.

Në bazë të transaksioneve të kryera, Prifti blen 25 përqind të aksioneve, me vlerë 25.000 lekë, ndërsa Doshi blen 35% të aksioneve, me vlerë 35.000 lekë.

Në Shkurt 2015, Dritan Prifti vendos të shesë aksionet e tij në “Beata”. Tom Doshi i blen Priftit 5% të aksioneve, me vlerë 5 mijë lekë. Pjesën e mbetur të aksioneve të Priftit, e blen një tjetër kompani private, “Premiere Services”.

Rreth një muaj pas largimit të Priftit, nga “Beata” largohet edhe Tom Doshi, zotërues i 40% të aksioneve, të cilat i kishte blerë në total 40 mijë lekë të reja.

Deputeti Doshi bën një “pazar” shumë të mirë në Mars 2015, kur i shet një kompanie tjetër private aksionet e tij në “Beata”, “Breçani”, në vlerë totale 250 mijë euro.

Vëllai i Taulant Ballës

Në Tetor të vitit 2013, biznesmeni Petrit Maho themelon kompaninë “Pharma Next”, me aktivitet tregtimin me shumicë dhe pakicë të artikujve farmaceutikë dhe kozmetikë.

Në qershor të vitit 2014, Maho i shet 10% të aksioneve të tij George Ballës, vëllait të kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla. Vlera e këtij transaksioni është fare minimale, ndoshta për shkak se edhe kompania sapo kishte filluar aktivitetin.

George Balla bëhet ortak në “Pharma Next” për vetëm 60 lekë të reja.

Gjithësesi, ky aktivitet privat nuk ka rezultuar i suksesshëm, pasi aktualisht “Pharma Next” është një shoqëri në likujdim e sipër.