Alqi Bllako i AKUM, tender 3 milionë euro me “flamur të kuq” për sahatët në Durrës dhe Elbasan

Nga Boldnews.al

Pak javë para se bashkëpunëtori i tij, “De Mare” srl, të fitonte tenderin 15 milionë euro për mbylljen e Porto-Romanos, Klodian Zoto i inceneratorëve ka pranuar “në heshtje” që të skualifikohet nga një tjetër tender me “flamur të kuq”, të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime (AKUM) e drejtuar nga Alqi Bllako, me vlerë 3 milionë euro.

Në 27 Nëntor 2019, vetëm një ditë pas tërmetit tragjik, AKUM shpalli rezultatet e tenderit “F.V Matësa prodhimi/konsumi dhe pajisje për ndërmarrjet Durrës, Elbasan, Lushnje, Vlorë, Fier, Kavajë”, me fond limit 365 milionë lekë të reja.

Në bazë të dokumentave zyrtarë, fitues i këtij tenderi me vlerë të konsiderueshme është shpallur bashkimi i operatorëve “Gentek Elektronik Sanayi ve Ticaret“ & “AMU“ shpk”, i cili ka ofruar shërbimin për shifrën 300 milionë lekë të reja pa TVSH, pra mbi 3 milionë euro bashkë me vlerën e TVSH-së.

Në tenderin e shpallur në Korrik 2019 kanë marrë pjesë katër konkurentë, ndër të cilët edhe “Integrated Technology Services” e biznesmenit kontrovers Klodian Zoto.

Pas shqyrtimit të ofertave, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime, e drejtuar nga Alqi Bllako, ka vendosur të skualifikojë tre prej konkurentëve, duke lënë në garë vetëm fituesin.

Tenderat, në të cilat shpallet fitues operatori që është i kualifikuari i vetëm, ngrenë dyshime për procedura të paracaktuara, nga ato që ekspertët e procedurave të prokurimit publik i konsiderojnë me “flamur të kuq”.

LEXO EDHE  Marrëveshja për Zgjedhoren/ Ambasadorët: E mirëpresim, fiton Shqipëria

Pas shpalljes së rezultateve, vetëm një prej operatorëve të skualifikuar ka ankimuar vendimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

Në 25 Nëntor 2019, në përfundim të shqyrtimit të ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar pretendimet e konkurrentit të skualifikuar, duke lënë në fuqi vendimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Ndërsa dy operatorët e tjerë, një prej të cilëve “Integrated” e Klodian Zotos, duket se janë bindur me argumentat e institucionit të Alqi Bllakos dhe nuk kanë ankimuar vendimin për skualifikimin nga tenderi 3 milionë euro.

Dy ditë pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, në 27 Nëntor 2019, Alqi Bllako shpall fituesin përfundimtar të tenderit 3 milionë euro, ndërkohë që e gjithë Shqipëria ishte me sytë nga kërkimet e ethshme nën rrënoja të të mbijetuarve nga lëkundjet e fuqishme sizmike.

Për shkak të tërmetit tragjik, AKUM i Alqi Bllakos vendosi anulimin e një tjetër tenderi të fuqishëm, me vlerë 15 milionë euro, për mbylljen e landfillit të Porto-Romanos, në Durrës.

Siç ka raportuar më parë, “Boldnews.al”, AKUM i Bllakos, pas anulimit paraprak, rihapi tenderin për Porto-Romanon, por kësaj radhe me procedurë të mbyllur, në të cilën shpalli fitues bashkimin e operatorëve “Viktoria Invest” dhe italianes “De Mare” srl, kjo e fundit bashkëpunëtorë e ngushtë e Klodian Zotos në ndërtimin e inceneratorit të Sharrës, në Tiranë.