Konfirmohet në detyrë kryetari i Apelit të Gjirokastrës Dritan Banushi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar sot në detyrë kryetarin e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Banushi.

Trupa gjykuese që kreu rivlerësimin e Banushit përbëhej nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Dritan Banushi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe përgjatë gati tre dekadave ka punuar si gjyqtar i Shkallës së Parë dhe Apelit Gjirokastër. Në vitin 2014 ai është emëruar si kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar një ditë më parë, ai u vlerësua pozitivisht për kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin, ndërkohë që u relatuan disa gjetje lidhur me kriterin e pasurisë.

Komisioni ngriti dyshime mbi vlerën e një apartamenti të blerë nga babai i gjyqtarit si edhe për shtesën e një apartamenti tjetër të trashëguar nga bashkëshortja e tij. Relatorja Zhegu tha gjatë seancës dëgjimore se nga analiza financiare ishte konstatuar mungesë e burimeve të ligjshme për periudhën 2013-2016.

LEXO EDHE  Kinezovirusi, Rama, Lali Eri dhe shqiptarët që i trajtojnë si fasada

Kryetari i Gjykatës së Apelit i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për sa i përket pasurisë duke dhënë shpjegime për pronat e paluajtshme, vërtetësinë e deklarimeve për personat e lidhur dhe duke paraqitur një analizë financiare të përpiluar nga një ekspert i jashtëm për të hedhur poshtë bilancin negativ të KPK-së.

Banushi tha se babai e kishte blerë shtëpinë karabina dhe depozitoi në Komision kontrata të tjera shitje të asaj periudhe që sipas tij kishin të njëjtën vlerë. Ai kërkoi rivlerësimin e analizës financiare dhe që t’i zbriteshin një pjesë e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë vendit, të dalluara nga sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve në kufi, TIMS, pasi ishin kryer për shkak të detyrës. Gjithashtu, Banushi i kërkoi Komisionit që të zbriste njërin prej zërave të shpenzimeve të dyfishta të llogaritua për jetesën e vajzës kur ajo ishte me studime.