U shkarkua nga detyra/ Ja çfarë e penalizoi në veting gjyqtarin Arjan Balliu

Gjyqtari Arjan Balliu

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 18 nëntor 2019 pasi komisioni vërejti një rast kontrate të pavërtetë për të justifikuar shuma parash me burime jo të ligjshme ndërsa në një rast rezultoi se mori pjesë në gjyq në kushtet e konfliktit të interesit. Vendimi i plotë i publikuar së fundmi nga KPK tregon detajet e hetimit administrativ që solli shkarkimin e tij pas një gjykimi vetëm për kriterin e pasurisë.

Trupa gjykuese e KPK përbëhej në këtë rast nga Xhensila Pine kryesuese, Roland Ilia relator dhe Valbona Sanxhaktari, anëtare.

Në vendimin e KPK të zbardhur së fundmi, thuhet se për periudhën 1994 – 2016 është evidentuar mungesë e burimeve financiare të gjyqtarit Balliu për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve në vlerën totale 11 milionë lekë. Komisioni shpjegon se në analizë financiare nuk janë përfshirë të ardhurat e deklaruara për të cilat nuk është provuar burimi i ligjshëm i tyre.

Gjetjet e konstatuara në raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI për pasurinë e gjyqtarit Balliu janë evidentuar edhe nga KPK e cila ka identifikuar edhe më shumë probleme gjatë hetimit administrativ.

Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000. Më pas, ai ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave dhe ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Balliu është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit, detyrë të cilën e mbajti deri në shkarkimin nga detyra.

Kontratë fiktive për të justifikuar burimet financiare

Nga hetimi administrativ, KPK ka gjetur se gjyqtari Balliu ka kryer një akt-shitje të një apartamenti me vjehrrën e tij me qëllim që të justifikonte burimin e krijimit të pasurive të tjera.

Ndërkohë, Komisioni konstaton mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe deklarim të pasaktë edhe në blerjen e këtij apartamenti 1+1+aneks, me sipërfaqe 70.8 m2 në Tiranë në vitin 2001, për vlerën 28 mijë USD, së bashku me një garazh me sipërfaqe 12.5 m2. Për këtë pasuri, Balliu ka pasqyruar si burim krijimi në deklaratën veting të ardhurat nga paga dhe kursimet e prindërve.

Në vendim sqarohet se Komisioni, ashtu si edhe ILDKPKI kanë konstatuar mungesë të burimeve të ligjshme lidhur me të ardhurat e prindërve; fshehje në deklaratën veting të dhurimit të shumës prej 15 mijë USD nga vjehrri; deklarim të rremë dhe kryerjen e një kontrate fiktive për shitjen e këtij apartamenti në vitin 2012 vjehrrës së tij në vlerën 8.8 milionë lekë me qëllim krijimin e burimeve financiare për blerjen e një automjeti tip “Audi” në vlerën 25.000 euro. Tjetër problem i identifikuar është edhe mospasqyrimi i garazhit me sipërfaqe 12.5 m2, i cili ndodhet në të njëjtin pallat.

Sipas Komisionit, megjithëse Balliu deklaron se ka shitur këtë pasuri në vitin 2012, ai e ka pasqyruar në deklaratën veting si pasuri në pronësi të tij me pjesë takuese 100 %.

Ndërkohë, në vitin 2003, ka deklaruar se vjehrri i ka dhënë shumën 15 mijë USD për blerjen e apartamentit në fjalë, ndërsa në deklaratën veting dhe gjatë hetimit administrativ ka deklaruar se babai i tij ka kontribuar me vlerën 1 milion lekë.

“Pra, nga subjekti janë dhënë deklarime kontradiktore lidhur me burimin financiar për përballimin e një pjese për blerjen e kësaj pasurie të paluajtshme”, thuhet në vendim.

Në vitin 2012 gjyqtari Balliu nuk e ka deklaruar shumën e plotë të pretenduar si të përfituar nga shitja e apartamentit. Gjithashtu nuk ka dokumentuar burimin e ligjshëm për vlerat e deklaruara si të dhëna nga babai e nga vjehrri, si edhe shumën 8.8 milionë lekë nga vjehrra së tij dhe kalimin e kësaj vlere.

Fillimisht KPK, ka konkluduar se Balliu nuk ka pasur mundësi për blerjen e këtij apartamenti dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera në vlerën -4.592.074 lekë. Por, pasi ka marrë në shqyrtim dokumentet shtesë të sjella prej subjektit të rivlerësimit, lidhur me të ardhurat nga puna e tij dhe e bashkëshortes, KPK e ka ndryshuar analizën financiare duke konkluduar në një balancë negative në shumën minus 3.140.103 lekë.

Për shkak se kontrata e shitjes së apartamentit në vitin 2012 është vlerësuar si fiktive, Komisioni konstaton mungesë të burimeve të ligjshme edhe për blerjen e një autoveture tip “Audi A3” po atë vit, në vlerën 25 mijë euro. Komisioni evidenton se Balliu nuk ka pasqyruar se sa kanë qenë të ardhurat nga pagat dhe sa nga shitja e apartamentit të përdorura për përfitimin e kësaj pasurie.

Nga analiza financiare, ka rezultuar se Balliu nuk ka pasur mundësi për blerjen e mjetit “Audi A3” në vlerën 25 mijë euro në vitin 2012. “…Subjekti i rivlerësimit nuk dispononte burime të ligjshme financiare për blerjen e pasurisë automjet. Bazuar në analizën financiare rezultoi se subjekti ka pasur pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie në vitin 2012, në vlerën -3.295.750 lekë”, thuhet në vendim.

Konflikt interesi

Hetimi administrativ ka identifikuar një rast kur Balliu ka gjykuar çështjen e administratorit të shoqërisë prej nga kishte blerë një apartament. Komisioni konstaton konflikt interesi dhe blerjen nën vlerën e tregut të një apartamenti 1+1 me sipërfaqe 70 m2 në Tiranë, të porositur në 22 tetor 2007 për 2 milionë lekë dhe të përfituar në vitin 2015. Për këtë pasuri, Balliu ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i profesionit të avokatit.

LEXO EDHE  Dosja e Plotë/ Si kryhej trafiku i lëndëve të rrezikshme nga Italia në Vlorë, masat në gjykatë

Komisioni thotën se Balliu është trajtuar me çmim preferencial, ose nuk është deklaruar vlera e saktë që ka shërbyer për blerjen e kësaj pasurie. Ndërkohë, në deklaratën e vitit 2009 ai e ka pasqyruar 2.9 milionë vlerën e blerjes së këtij apartamenti.

Nga hetimi administrativ është gjetur se, edhe pse si burim krijimi janë deklaruar të ardhurat nga puna si avokat, Balliu e ka nisur këtë profesion në datën 10 tetor 2007, vetëm disa ditë para se ta porosiste apartamentin.

“Nuk rezultojnë të ardhura të ligjshme gjatë kësaj periudhe të përfituara nga subjekti në shumën 2.000.000 lekë, pa përfshirë edhe vlerën e arredimit prej 900.000 lekësh, të deklaruar në përgjigje të pyetësorit. Bazuar në konfirmimin e drejtorisë së tatim-taksave për të gjithë vitin 2007, nuk rezultojnë të ardhura të ligjshme nga ushtrimi i funksionit të avokatit, si dhe as pagimi i detyrimeve ligjore për të gjithë këtë vit buxhetor”, thuhet në vendim.

Më tej identifikohet edhe konflikti i interesit me shoqërinë “P.G.” sh.p.k. që i ka shitur Balliut këtë apartament. Sipas KPK ka rezultuar se Balliu ka qenë relator në një çështje penale në Gjykatën e Apelit Durrës, ku shtetasi A.Gj., ortak dhe administrator i shoqërisë “A.B.” dhe personi i cili ka lidhur kontratën e porosisë me gjyqtarin për blerjen e këtij apartamenti si dhe likuidues i shoqërisë “P.G.”, ka qenë palë e akuzuar. Ndërkohë, gjyqtari Balliu nuk e paraqitur dorëheqjen nga kjo çështje.

Komisioni ka gjetur se pavarësisht se akuza për administratorin e firmës ndërtuese ka qenë ndërtim i paligjshëm, vendimi i Gjykatës së Apelit ka qenë në favor të shtetasit A.Gj..

“Pra, në dukje, subjekti ka qenë në konflikt interesi për të shqyrtuar si relator çështjen penale në ngarkim të shtetasit A.Gj., i cili ka qenë palë shitëse në kontratën e lidhur për blerjen e pasurisë në vlerën preferenciale prej 2.000.000 lekësh”, thuhet në vendim. Ndërkohë, bashkëshortja e Balliut ka dhënë dorëheqjen kur ka pasur në shqyrtim një çështje civile ku kjo shoqëri ishte palë.

Tjetër problem që evidenton KPK për këtë pasuri, është fakti se bashkëshortja e Balliut, në cilësinë e deklarueses më vete si gjyqtare, nuk e ka pasqyruar në vitin 2007 blerjen e këtij apartamenti. Në përfundim, nga analiza financiare ka rezultuar se Balliu ka qenë në pamundësi financiare në vlerën -1.625.000 lekë për blerjen e këtij apartamenti.

KPK ka gjetur pasaktësi në deklarimin e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 123 m2, në Kavajë të porositur në vitin 2004 në vlerën 4.5 milionë lekë dhe të përfituar në vitin 2007. Për këtë pasuri Balliu ka deklaruar se e ka përfituar nga nëna e bashkëshortes, si ish-pronare e truallit. Por Komisioni ngre dyshime se deklarimi ka qenë i pasaktë me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, pasi apartamenti është përfituar nga bashkëshortja e Balliut në kundërshtim me ligjin.

Sipas Komisionit, bashkëshortja e Balliut ka vepruar si pronare e truallit për përfitimin e këtij apartamenti, në kundërshtim me situatën ligjore të pronësisë. Komisioni shton se përfitimi i drejtpërdrejtë i kësaj pasurie nga bashkëshortja e gjyqtarit Balliu duket se është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë marrëdhëniet për fitimin e pronësisë, pasi nuk ka qenë ajo pronare e truallit ku është ndërtuar pasuria në fjalë, por nëna e saj. “Kalimi i pronësisë së apartamentit direkt te bashkëshortja e subjektit është bërë në kundërshtim me dispozitat e Kodit Civil dhe legjislacionit në fuqi, si dhe me këto veprime të kryera janë shmangur detyrimet financiare përkatëse në buxhetin e shtetit”, evidenton KPK.

Në përfundim, Komisioni konkludon se nuk është vërtetuar që kjo pasuri të jetë përfituar nga shkëmbimi i truallit, por sipas kontratës me anë të blerjes në shumën 4.5 milionë lekë. Ndërkohë, KPK ka gjetur se vjehrra e Balliut nuk ka pasur mundësi financiare në shumën 4.5 milionë lekë për blerjen e kësaj pasurie.

Komisioni evidenton pamundësi financiare për një investim në Bono Thesari në shumën 3 milionë lekë për periudhën 24 qershor 2004 – 24 dhjetor 2007. Deklarimet e Balliut se burimi i këtij investimi ishin kursimet familjare në vlerën 1.5 milionë lekë dhe po aq para të depozituara nga ish-vjehrri nuk kanë qenë bindëse për Komisionin.

Në vendim thuhet se gjysma e vlerës së investuar në Bono Thesari nuk figuron në emër të vjehrrit të Balliut dhe se nuk është provuar që ai të kishte mundësinë financiare në atë periudhë për të depozituar shumën 1.5 milionë lekë.

Komisioni konkludon se në vitin 2004, Balliu ka qenë në pamundësi financiare në vlerën 2.705.114 lekë për kryerjen e këtij investimi.

Probleme janë identifikuar edhe për një gjendje cash në vlerën 1 milion lekë, për të cilën gjyqtari Balliu ka deklaruar si burim krijimi kursimet familjare dhe të ardhura të përfituara nga shitja e apartamentit 1+1+aneks në Tiranë. Komisioni konstaton qëndrime kontradiktore të vetë subjektit, pasi Balliu në deklaratën periodike të vitit 2014 ka pasqyruar gjendje cash në vlerën 200 mijë lekë, ndërsa në deklaratën periodike të vitit pasardhës 2015, ka shënuar pakësim të gjendjes cash në shumën 700 mijë lekë që rezulton të jetë disa herë më e madhe se gjendja e kursyer. /BIRN/