Transaksionet me nënën dhe baxhanakun penalizuan gjyqtarin Arben Vrioni

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Arben Vrioni, duke hyrë në një seancë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK

Deklarimet kontradiktore që binin ndesh me dokumentacionin e siguruar gjatë hetimit prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, rezultuan shkarkuese për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Arben Vrioni.

Në vendimin e zbardhur sëfundmi nga KPK rezulton se Vrioni nuk arriti të justifikonte mbi 6.5 milion lekë investime dhe pasuri, ndërsa përpjekjet e tij për të shpjeguar disa transaksione e futën atë në telashe të tjera. Trupa që gjykoi rastin vendosi të shkarkonte gjyqtarin duke arsyetuar se ai kishte “mungesë burimesh financiare të ligjshme” dhe kishte bërë “deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm”.

Vendimi i KPK duket se është marrë pas hetimit të një sërë kontratash për shit-blerje pasurie të patundshme dhe lëvizjesh financiare që nuk përputheshin në kohë me deklarimet e Vrionit.

Ndryshimet e disa deklarimeve mbi kohën e kryerjes së veprimeve financiare, po ashtu u përdorën kundër gjyqtarit të shkarkuar. KPK ndërkohë shprehet se gjeti të dyshimta dy transaksione në vlerë rreth 35 mijë USD mes Vrionit, nënës së tij dhe baxhanakut që ndodhej në SHBA.

Vrioni, i cili siç del në vendim i shtoi telashet vetes duke u përpjekur të shtynte procesin me një sërë kërkesash, kundërshtoi rezultatet e hetimit dhe dha shpjegime që sipas tij provonin pasuritë, por KPK shprehet në vendim se qëndrimet e tij ishin deklarative dhe nuk provoheshin. KPK po ashtu mbajti shënim se ai nuk kishte qenë bashkëpunues.

Trupi gjykues që shqyrtoi rastin e Vrionit, kryesohej nga Firdes Shuli, relatore Pamela Qirko, anëtare Alma Faskaj dhe vëzhgues i ONM-së, Hans Kijlstra.

Arben Vrioni e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe ka punuar për gati dy dekada në Gjykatën e Elbasanit si gjyqtar, nënkryetar dhe kryetar. Në vitin 2016, Vrioni u zgjodh përmes një dekreti të Presidentit të Republikës gjyqtar në Apelin e Durrësit, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.

Në dhjetor 2016, Vrioni u bë pjesë e një hetimi të Prokurorisë pas vendimit të debatueshëm të një trupe gjyqësore të drejtuar prej tij për lirimin e parakohshshëm të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Hetimi i prokurorisë u pushua megjithatë pa asnjë rezultat.

Apartamenti i pajustifikuar

Veprimet e kryera nga Vrioni për të marrë në zotërim një apartament 3+1 në Elbasan me vlerë 6 milion lekë, u gjetën prej KPK-së problematike në disa nivele. Fillimisht Komisioni gjeti se transaksionet e kryera ishin deklaruar me burim tjetër në deklaratën periodike dhe në atë veting.

Po ashtu KPK gjeti se përtej pretendimeve të Vrionit se kishte filluar të banonte në këtë shtëpi që në vitin 2002, ajo rezultoi e regjistruar në emër të një personi tjetër deri në vitin 2015 kur është finalizuar shitja.

“Për sa më sipër konstatohet se megjithëse subjekti ka deklaruar këtë pasuri që në deklaratën fillestare (dorëzuar në ILDKPKI, në datën 9.3.2004), dhe se po ashtu në deklaratën “Vetting” se është blerën në vitin 2002, kontrata e shitjes së kësaj pasurie është bërë në vitin 2015”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Vrioni pretendoi se vonesat dhe nënshkrimi i kontratës vinin për shkaqe “të panjohura për ta”, por KPK arriti në përfundimin se deklarimet e tij “gjatë procesit të hetimit administrativ nuk është në harmoni me provat e administruara nga Komisioni lidhur me këtë pasuri”.

KPK po ashtu hetoi burimet e krijimit të kësaj pasurie, të cilat rezultuan të lidhura me një seri kontratash të ngjashme për shit-blerje pasurie të paluajtshme. KPK pranoi se nëna e subjektit kishte fituar 57 mijë USD nga shitja e një godinë në Gjirokastër, por hetimi i veprimeve të kryera pas kësaj shitje ngritën dyshime nëse këto para ishin përdorur për të blerë apartamentin e Vrionit.

KPK thotë se një kapar i paguar për një banesë tjetër në vitin 1999 prej 1.5 milion lekësh, rezulton sipas dokumetacionit i humbur. Komisioni thotë se kapari që ishte paguar për të blerë një apartament me vlerë 4.5 milion lekë, humbi pasi nuk u nënshkrua kontrata përfundimtare dhe nuk u pagua pjesa tjetër e vlerës. Vrioni kundërshtoi humbjen e kaparit, por sipas KPK nuk arriti të provonte këtë.

Komisioni po ashtu tha se lëvizjet e tjera për këtë banesë, përfshi blerjen e saj nga Vrioni për 1.9 milion lekë në vitin 2000 dhe më pas shitjen për një shumë të ngjashme në vitin 2004, ishin të dyshimta.

LEXO EDHE  Beteja për "ajrin", ulen çmimet e fluturimeve/ Ja destinacionet më të kërkuara

KPK thotë se të ardhurat e kësaj shitje, pavarësisht pretendimit të Vrionit se pagesat ishin bërë në vitin 2002, nuk mund të shërbenin për pagesat e kësteve të apartamentit 6 milion lekë të blerë në vitin 2002.

Vrioni sipas KPK e kishte deklaruar si burim të ardhurat e të ëmës për një llogari bankare prej 26 mijë USD, një makinë dhe investimin në blerjen e apartamentit. Por hetimet në të ardhurat e nënës zbuluan se ajo kishte pasur përtej kohës së shpenzimeve të kryera nga gjyqtari një llogari bankare më vlerë 2.7 milion lekë.

Vrioni pretendoi se llogaria bankare ishte krijuar nga shitja e disa monedhave të floririt që nëna kishte trashëguar, por KPK e cilësoi këtë si pretendim deklarativ. Ngjashmërisht, KPK cilësoi si deklarative pretendimet e Vrionit se shuma e përfituar prej nënës së tij ishte shtuar për shkak të investimeve që kishte bërë i ati nga viti 1999.

Ndërsa duke lidhur deklarimet e tjera me gjetjet nga hetimet, Komisioni arsyetoi se Vrioni nuk mund të kishte përfituar gjithë shumën prej 57 mijë USD nga e ëma. “Në dritën e këtyre fakteve të reja, duket i dyshimtë deklarimi i subjektit se burim krijimi i pasurisë së tij është e gjithë vlera e përfituar nga shitja e pasurisë së nënës në qytetin e Gjirokastrës”, thuhet në vendim. Analiza financiare e bërë pas këtyre gjetjeve nga KPK e nxori Vrionin me një bilanc negativ prej 4.5 milion lekësh, për blerjen e apartamentit.

Makina dhe huamarrja

Ngjashëm problematike u gjetën nga KPK llogari bankare e bashkëshortes që pretendohej se ishte dhuruar prej prindërve të saj, por që sipas hetimit ky pretendim nuk u mbështet në prova. Komisioni hetoi një sërë lëvizjesh të bëra për blerjen e një makine në vitin 2016. KPK gjeti se makina ishte blerë fillimisht në Gjermani për shumën 16.500 euro dhe pasi u ishte kryer zhdoganimi dhe vlera totale e mjetit kishte shkuar në 2.7 milion lekë, ajo i ishte shitur një kompanie për 900 mijë lekë, ndërsa në kontratë shënohej se ajo kishte defekt në motor.

Vrioni e bleu makinën për 12 mijë USD disa muaj më vonë, por KPK gjeti se ai kishte tërhequr nga banka shumën prej 20 mijë USD në të njëjtën kohë që makina kishte hyrë në Shqipëri dhe se ai vetë ka pranuar që e kishte përdorur makinë para se të kryhej blerja përfundimtare. Vrioni pretendoi se ai njihte mirë pjesët e motorit dhe se defekti i supozuar që i kishte ulur çmimin makinës nga 2.7 milion në 900 mijë në shitjen e parë nuk e kishte shqetësuar.

KPK ngriti dyshime se gjithë këto lëvizje ishin bërë për të ulur fiktivisht çmimin e makinës, ndërsa i lidhi këto me lëvizjet bankare të kryera nga vetë subjekti. Komisioni arriti në përfundimin se “tërësia e transaksioneve të kryera deri në blerjen përfundimtare të këtij automjeti nga subjekti duket se janë bërë me qëllim për të fshehur vlerën reale të blerjes së tij”.

Ngjashmërisht, KPK gjeti të dyshimta transaksionet me baxhanakun për të financuar shkollimin e vajzës në Britani. KPK thotë se gjeti që Vrioni kishte marrë një hua prej 25 mijë Paund nga baxhanaku, ndërsa 12 ditë më vonë nëna e gjyqtarit të shkarkuar i kishte dërguar këtij të fundit 35 mijë dollarë nga një llogari e saj.

“Në analizimi i të dhënave të mësipërme vërehet një situatë kontradiktore lidhur me mënyrën e veprimit dhe tërësisë së transaksioneve për transferimin e këtyre vlerave monetare”, thuhet në vendim.

KPK cilësoi deklarative dhe jo të besueshme pretendimet e Vrionit se dy shumat ishin të ndara nga njëra tjetra dhe se baxhanaku kishte pasur në Shqipëri shumën prej 35 mijë dollarësh. KPK gjeti të paarsyshme pse kjo shumë i ishte lënë nënës së subjektit dhe jo një personi të afërt me baxhanakun. KPK ngriti dyshime se shuma prej 35 mijë USD ishte kthimi pas i huasë së marrë dhe se lëvizjet ishin bërë për të shmangur deklarimin e pagesës prej vetë Vrionit.

Ngjashmërisht KPK gjeti një mungesë burimesh për 2 milion lekë në deklarimet e vitit 2009 dhe një mori problemesh, mosdeklarimesh apo pasaktësish në deklarimet e tjera të Vrionit./BIRN/