Rritet konkurrenca mes fondeve të investimeve/ Për 2019 menaxhuan 550 milionë euro

Normat e ulta të interesit të depozitave gjatë viteve të fundit kanë nxitur individët të investojnë në fondet e investimeve. Sipas analizës së të dhënave për tregun e fondeve të investimeve në 31.12.2019, vlera neto e aseteve të Fondeve, arriti rreth 66.79 miliardë lekë ose rreth 551 milionë euro, me një rritje prej 0.70 miliardë lekë ose 1.06%, krahasuar me 31.12.2018. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 548 milionë Euro.

Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 66.82% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 5.47% krahasuar me 31.12.2018. Raporti fundit I Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregon se numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit më 31.12.2019 është 29,243 me një ulje prej 0.60% krahasuar me 31.12.2018.
Gjatë vitit 2019, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre pesë fonde investimi.

LEXO EDHE  Tenderat e çuditshëm/ Ujësjellësi Korçë, në Sri Lanka për llumrat. Gati për në Uganda

Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro”, fondi i investimeve “Raiffeisen Vizion” të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest”, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest” dhe fondi “WVP Top Invest” e cila administrohet nga shoqëria “WVP Fund Management Tirana sh.a”.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me Vendim nr. 210, datë 22.11.2019 licencoi “Albsig Invest”sh.a – shoqëri administruese e fondeve të pensionit dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe me Vendim nr 255, datë 30.12.2019 licencoi fondin e investimit “Albsig Standard”, i administruar nga shoqëria Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive “Albsig Invest” sh.a. /Monitor/