Rama me faturë 1 miliardë dollarë në xhep

Nga Boldnews.al

Mbeti në ajër, shko nëpër botë si përfaqësues i presidencës së OSBE-së, ik si kryeministër i shqipërisë, e bridh me një faturë të rëndë në xhep. Prej vitesh i ka mbushur mendjen vetes se është “lider global”, që si punë të “tretë”, me kohë të pjesshme, ka edhe atë si kryeministër. Së pari ka shitjen si lider i madh, së dyti propagandën dhe më pas ndonjëherë atë të kreut të qeverisë së vendit më të varfër dhe të korruptuar në Europë.

Sot, kryeministri Edi Rama takoi kancelarin gjermane Angela Merkel, ku do diskutojë për Konferencën e Donatorëve, që do të mbahet në Tiranë më 17 shkurt, për të siguruar fondet për rindërtimin e vendit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, me pasojë vdekjen e 51 qytetarëve dhe shkatërrimin e mijëra banesave.

Me një të rënë lapsit, qeveria e nxorri bilancin e kostove të tërmetit, duke e rrumbullakosur 1 miliardë dollarë. Një shifër e frikshme për çdo vend të Europës së zhvilluara, por për Ramën, ministrat e tij dhe zyrtarët e lartë të Rilindjes, është vetëm një fjalë goje. Madje as nuk kanë pikë marre për të kërkuar këtë “lëmoshë” të shtrenjtë. E para nuk ka një bilanc serioz për dëmet e tërmetit dhe mësohet se edhe fatura “rreth” 1 miliardë dollarë ka dalë pas konsultimit të Ramës me ministrin Arben Ahmetaj, ku ky i fundit shquhet për hesape të rënda, me shumë zero nga pas.

Për Konferencën e Donatorëve kërkohet seriozitet. Së pari duhet një bilanc i qartë sa është numri i banesave të shkatërruara, sa është kosto për ndërtimin e tyre, në çfarë zonash do të ngrihen, afati kur mund të nisin dhe përfundojnë punën. Të gjitha këto me akte të dala nga ekspertë të certifikuar. Kjo është forma që kërkon bota për të dhënë ndihma, por qeveria jonë ka plotësuar një “cek” me “rreth 1 miliardë dollarë”, duke ua lënë në tavolinë partnerëve ndërkombëtarë, gati si një lloj detyrimi.

LEXO EDHE  Donacionet/ Bardhi: Rama po përdor për propagandë solidaritetin e ndërkombëtarëve

Pika tjetër është garancia se këto fonde që do mblidhen nga Konferenca e Donatorëve do të shkojnë në destinacionin e duhur. Vetëm një ditë pasi Rama emëroi Ministër të Rindërtimit Arben Ahmetajn, një post i shpikur enkas për pasojat e tërmetit, rrjetet sociale shpërthyen në ironi, duke e konsideruar Ahmetajn si person të papërshtashëm për këtë detyrë dhe ngritur pikëpyetjen e madhe nëse në fondet e “lëmoshës” do të futen ose jo duart e pista të pushtetit.

Skandalet kanë nisur të shfaqen që tani edhe në ato pak fonde të cilat janë akoorduar për “bonusin e qirasë” për të pastrehët e prekur nga tërmeti. Ka shumë denoncime se po përfitojnë persona që nuk janë prekur nga pasojat, ndërsa ata që kanë mbetur pa strehë mbi kokë sorollaten me justifikimin e përhershëm: “bëni kërkesë dhe do të trajtoheni në mbledhjen e ardhëshme të Këshillit Bashkiak”-një mbledhje që kurrë nuk po vjen…
Në këtë katrahurë, ku qytetarët jetojnë në lëmoshën e organizmave humanitare dhe nën çadrat e falura, qeveria bën bilancet për ndërtimet e reja, firmat që do marrin këtë shumë të madhe parash dhe oligarkia dhe paria pushtetare që po fërkojnë duart nga fondet e grumbulluara deri më tani dhe “thesi i madh” që do sigurohet pas 17 shkurtit. Deri atëherë, fatura një miliardë dollarë në xhepin e Ramës do bëjë edhe ca kohë xhiro nëpër botë!