Pushimi i hetimeve për lobimin rus, Prokurori Kolë Hysenaj apelon vendimin për Bashën

Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës për të pushuar çështjen në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD. Prokurori Kolë Hysenaj, i përfolur për afërisinë e tij me qeverinë, dorzoi në Apel ankimin e vendimit të Shkallës së Parë, tre ditë para mbylljes së afatit.

Më 13 janar, Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj kryedemokratit për “falsifikim dokumentesh” në lidhje me lobimin e kryer nga PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjyqtari Lazer Sallaku e pushoi procesin penal dhe akuzën me argumentin se deklarimet e Nick Muzin se kishte marrë para nga PD e Basha ishin të pabesueshme dhe të pashoqëruara me prova.

Prokuroria e kishte marrë nën hetim Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të PD, pasi sipas saj kishte gjetur elementë të veprave penale “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Prokuroria pretendonte se kishte një mospërputhje mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD dhe shpenzimeve reale. Sipas prokurorisë së Tiranës, PD nuk ka deklaruar për KQZ dy pagesa prej 650 mijë dollarë në SHBA në vitin 2017, ku një prej pagesave është kryer nga shoqëria e huaj Biniatta Trade.

LEXO EDHE  Koronavirusi, ish-deputeti bën apelin e fortë: Shqipëria të ngrejë alarmin për rrezikun

Çështja penale që u përdor si kalë beteje nga qeveria kundër opozitës u pushua edhe për dy të bashkëpandehurit e Bashës, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi. Vendimi u dha nga gjyqtari Lazer Sallaku në përfundim të seancës paraprake, në të cilën Lulzim Basha nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokatët Eduard Halimi dhe Ivi Kaso.

Gjyqtari Sallaku u përball me dy qëndrime nga tre prokurorët e çështjes, ku prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha kërkuan kalimin e dosjes në gjykim për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa prokurori Kolë Hysenaj, kthimin e dosjes për plotësim hetimesh. Nga ana tjetër, avokatët e të pandehurve kërkuan pushimin çështjes, kërkesë që u pranua nga gjykata. Për avokatin Halimi, vendimi i gjykatës ishte një vendim drejtësie.