“Pornografi me të mitur”/ Një i arrestuar dhe dy të proceduar në gjendje të lirë

Një 26-vjeçar me iniciale D.Dh. nga Fieri është arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pornografia me të mitur”.

Operacioni u krye nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, DVP Tiranë e Fier dhe me agjencinë ligjzbatuese “Homeland Security” në SHBA.

Aksioni

Burime zyrtare nga Policia bënë me dije se si rezultat i bashkëpunimit me “Homeland Security” u mor njoftimi se ekzistonin komunikime mes disa profileve të rrjetit social FB, të cilat kishin të bënin me pornografi me të mitur dhe menjëherë, në bashkëpunim me prokurorinë, specialistët e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit nisën hetimet.

Pas një hetimi rreth 1 vit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në kuadër të procedimit penal të nisur për veprën penale “Pornografia me të mitur”, u zhvillua dhe u finalizua operacioni policor “E-TRACE”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. Dh., 26 vjeç, lindur e banues në Fier.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë edhe dy shtetas, 22 e 25 vjeç, banues në Tiranë e Fier.

Prokuroria ka regjistruar procedimin penal mbi bazën e materialit kallëzues, dërguar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterik pranë Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

LEXO EDHE  Epike/ Nard Ndoka: Rama po negocion të futet te burgu i grave

Materiali kallëzues kishte të bënte me dy profile në rrjetin social facebook, nëpërmjet të cilëve janë prodhuar e dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur. Përdoruesit e këtyre profileve, me anë të komunikimeve në rrjetin social facebook, në periudha të ndryshme, kanë ngacmuar dy fëmijë të mitur, 9 vjeç e 12 vjeçe, banues në Amerikë.

Nga hetimet e kryera në vazhdimësi u provua se të dyja këto profile i përkisnin shtetasit të ndaluar.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: Një laptop “Lenovo”, 10 aparate celular, karta e USB-së dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se kanë të bëjnë me veprën penale.

“Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat të cilët mund të jenë të lidhur me këtë shtetas. Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme, për veprën penale ‘Pornografia me të mitur’, për të cilën parashikohet dënimi deri në 10 vjet burg”, njoftoi policia.