Policia Rrugore mbulon me gjoba dështimin me trafikun, por BETONIERET NUK PREKEN (Foto)

Nga Boldnews.al

Dhjetra drejtues mjetesh që kanë qarkulluar mëngjesin e kësaj të Hëne në zonën e Laprakës, pritet të përballen me gjobat Rrugore, pasi u përballën me një trafik të rëndëuar dhe të pamenaxhuar nga efektivët e Policisë.

Një nga dy policët rrugorë që qëndronin, nën shi, në kryqëzimin e Laprakës, ishte ngarkuar nga drejtuesit e tij me detyrën për të fotografuar e më tej gjobitur të gjithë shoferët, të cilët nuk respektonin korsinë për t’u kthyer drejt Spitalit të Traumës.

Siç shihet në fotot e siguruara nga “Boldnews.al” në orët e para të së Hënës, efektivi i i Policisë Rrugore, i papajisur me mjete për t’u mbrojtur nga reshjet e shiut, është detyruar që të fiksojë në celularin e tij të gjithë mjetet që kanë “shkelur” korsinë, por pa bllokuar makina të tjera.

Në një situatë normale, lëvizja e makinave në një korsi të dedikuar vetëm për të ecur drejt, dënohet në mënyrë administrative.

LEXO EDHE  ‘Me çfarë do të ushqehemi?’/ Vajza e naftëtarit grevist përlot shqiptarët me pyetjen e saj

Por, kur ka fluks të dënduar, siç ndodh rëndom në Tiranë çdo fillim-jave, dhe sidomos kur ka reshje të dëndura shiu, është detyrë e Policisë Rrugore që të ndihmojë në lehtësimin e trafikut, duke treguar fleksibilitet.

Këtë të Hënë, Policia Rrugore duket se nuk ka marrë asnjë masë për të menaxhuar trafikun e rënduar në hyrjen kryesore të kryeqytetit. E, nën këtë pasivitet të efektivëve të Rrugores, qytetarët kanë tentuar të gjejnë vetë një zgjidhje, duke i krijuar njëri-tjetrit hapësira për qarkullim të lirë.

Por kjo “iniciativë” e drejtuesve të mjeteve, të cilët kanë qëndruar për minuta të tëra në trafik, është përballur me efektivin e Policisë Rrugore, i cili ishte ngarkuar për të filmuar dhe fotografuar çdo person që “shkelte” vijën ndarëse të korsisë.