Ora e partive politike ka ndaluar

Nga Artan Fuga

Duket qartazi se partitë politike, ose më mirë krerët e tyre, të të gjithë krahëve – e kam fjalën për ato parti që janë paraqitur sot apo dikur me deputetë në Kuvendin e Shqipërisë – ose në aleanca me to, duket se e kanë mbledhur mendjen. Duan të ruajnë këtë kod zgjedhor, sidomos kur bëhet fjalë për “zemrën” e tij, sistemin e zgjedhjeve. Elektoratit i japin vetëm të drejtën për të votuar logot e partive, dhe jo deputetët si individë.

Pra, i japin celësat e kashtës!

Si ta shpjegoj? Njësoj sikur të gjykosh për një mall nga amballazhi i tij. Të gjykosh për listat e partive në zgjedhje, pra vetëm për emrin e partisë, jo për kandidatët, programe politike jo e jo, është të kënaqesh me lugë të zbrazur.

Por, duket se e kanë pjekur mendimin. Sepse kështu evitojnë që në ndarjen e pushteteve të mënjanojnë popullin.

Me lloj lloj sofizmash të turpshme.

Po mirë, por kur zbatoni zgjedhjene kryetarëve të partive direkt nga militantët a nuk keni pranuar se populli di të votojë?

Formalisht, sepse faktikisht dihet se çfarë janë ato zgjedhje.

Pra, populli qenka i aftë të zgjedhë kryetarët e partive, por jo deputetin e lagjes së tij!!!

Pale na keni thënë se edhe Presidenti të zgjidhej nga populli!!! Pra, populli, edhe Presidentitn që as e njeh fare, e zgjedhka dot, kurse deputetin e fshatit të tij nuk e zgjedhka dot!!!

Kush i ha këto manevra pa asnjë lloj koherence logjike?

Partitë politike te ne kanë mbetur pas kohe.

Kudo në botë partitë politike po bëhen gjithnjë e më pak të mbyllura duke u lënë pushtet militantëve, elektoratit, popullit, kurse te ne partitë politike, më mirë të themi krerët e tyre, po duken se nuk duan t’a lënë popullin të votojë direkt për individët kandidatë për deputetë.

Partitë moderne në Europë, edhe kandidatët e tyre për presidenta gjithnjë e më shumë fillimisht po i votojnë direkt nga militantët në ato që quhen “primare” brenda partisë. Në këto votime nuk marrin pjesë vetëm militantët, por edhe elektorati që dëshiron. Referendumet lokale po bëhen gjithnjë e më të modës. Ndërsa lëvizjet qytetare pa ndonjë mundim të madh kanë kandiduar madje fituar në zgjedhje.

Në shumë vend madje edhe kandidaturat për pushtetin lokal po vendosen sipas hedhjes me short ose me zgjedhje rastësore brenda listës të zgjedhësve.

Pushteti po shkon te qytetari.

Nuk jemi te partitë e shekullit të 20. As te partia e militantëve dhe revolucionarëve profesionistë e Leninit, as te partitë e intelektualëve në vende me popullsi fshatare që nuk di shkrim e këndim, as te partitë fashiste dhe naziste, as te partitë komuniste të Lindjes, të gjitha që i imponoheshin shumicës të popullit, as te partitë politike në të dy anët e perdes së hekurt gjatë “Luftës së Ftohtë”.

Partive politike te ne u ka ngelur ora te modeli i shekullit të 20, shekulli i dy luftrave, i luftës mes dy kampeve ideologjike, dhe i pushteteve totalitare.

Nuk dinë vallë modele të tjera? Kanë frikë nga elektorati? Duan të ruajnë monopol në pushtet? Me çfarë të drejte!!!

Në kushtet kur komunikimi me anë të teknologjive numerike në web, Internet, rrjete sociale është personalizuar, agjencitë e ndërmjetme kudo, në cdo fushë po zbehen.

LEXO EDHE  Donacionet/ Vasili: Uroj që lekët të mos shkojnë dëm si ato të Reformës në Drejtësi

Kurse vetëm në Shqipëri si gjithmonë të vjen për të vjellë që partitë politike si agjenci të ndërmjetme midis elektoratit dhe pushtetit, në vend t’a zbehin rolin e tyre, sikurse e kërkon emancipimi, mbeten kështjella që e konservojnë pushtetin për vete.

Hotelet po zbehen sepse nëpërmjet webit turisti lidhet direkt me pronarin e apartamentit.
Spitalet bëjnë operacione në distancë, ku me anë të Internetit mjeku vepron direkt mbi pacientin pa kaluar medoemos nga spitali pranë shtëpisë.
Njësitë tregtare po zbehen sepse bëhen shoping në linjë.
Madje edhe muzetë, qendrat historike, galeritë e arteve etj., shkollat po frekuentohen virtualisht nëpërmjet teknologjive të komunikimit.
Edhe sipërmarrjet në shumë fusha po zëvendësohen nga ajo që quhet telepuna, pra puna në distancë nga shtëpia që zbeh ndërmarrjen si agjenci e ndërmjetme midis punonjësit dhe objekteve të punës.

Për partitë moderne e thamë. Për politikën moderne e thamë. Shumë votime bëhen nga shtëpia pa shkuar fare në qendrat e votimit.

Vetëm në Shqipëri si duket politikanët nuk e duan atë që quhet e-citizenship.
As Republikën virtuale.

Etja për pushtet, uria e pashuar për pushtet politik e disave po na le mbrapa botës, po na lë një sistem politik dinozaur, duket sikur jetojmë në muzeun e sistemeve politike të botës, sikur jemi në një terren arkeologjie politike, si mumje politike që kemi ngrirë dhe koha dhe ora na kanë ngelur.

Gjithçka në botë po shkon drejtpërdrejt te qytetari.

Agjencitë e ndërmjetme si :

agjenci reklamash, kabinete konsultimi, sipërmarrje, shkolla, muze, kinematë, partitë politike po zbehen duke marrë forma të reja të modernizuara. Kjo sepse qytetari po lidhet individualisht me qytetarët e tjerë dhe me objektet e veprimit të tij direkt, drejtpërdrejt, pa ndërmjetësi.

Aparatet burokratike po tronditen. Vertikaliteti po tronditet. Shoqëria piramidale po tronditet.

Vetëm në Shqipëri si çifligarë disa duan të vendosin vetëm ata se cilët do të jenë deputetët jo populli.

Hajde demokraci, hajde!

Ne kështu marrim rrugën e kundërt të evolucionit të emancipimit.

Mbetemi prapa botës.

Aty është rrënja, burimi, shkaku i të gjitha të këqiave që na bëjnë të vuajmë. Te ndalimi i popullit për të votuar.

Disa kujtojnë se populli në zgjedhjet e fundit lokale vajti vetëm 10 përqind në zgjedhje sepse u ndikua nga opozita vetëm. Jo, harrojeni, mos ushqeni iluzione, populli po flak tej këtë sistem votimi të manipuluar dhe të vjetër si një mamuth. Po e injoron, përbuz, po e hedh në plehra!

Mblidhni mendjen sa nuk është vonë!

Jemi në kolaps politik që po lëkund Shqipërinë si sistem gjeopolitik, si vatan!

Keni përgjegjësi të jashtëzakonshme!

Në zgjedhjet e ardhëshme do të votojnë vetëm nëpunësit e mesëm dhe të lartë dhe vetë deputetët. Kaq.

Nuk e besoni!!!

Shihni si ikën mileti nga sytë këmbët nga Shqipëria pa pyetur fare se çfarë le pas, ikën nga vendi ku ka statusin e qytetarit dhe shkon larg atje ku as voton as ka status qytetari. Duket hapur që ajo që le këtu në atdhe as i intereson fare.

Pse e shet votën? Sepse e di që ajo mund të vlejë si kartmonedhë, kaq, sepse si pjesëmarrje në pushtet ia ka pirë lëngun.