Dy muaj pas tërmetit/ Qeveria ende s’ka shifër mbi dëmet, por prezanton platformën e aplikimit online

Sot janë mbushur dy muaj nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, i cili shkaktoi 51 viktima, mbi 900 të plagosur dhe shkatërroi disa qindra apartamente dhe banesa private, duke lënë të pastrehë rreth 10 mijë persona.

Megjithëse kanë kaluar dy muaj, zyrtarisht qeveria nuk ka deklaruar një shifër zyrtare mbi dëmet që shkaktoi tërmeti, ndërsa në Itali, gjatë vizitës që zhvilloi pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama, deklaroi shifrën e 1 mld eurove.

Gjithsesi edhe sot, qeveria nuk deklaroi ndonjë shifër mbi dëmet, ndërsa ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, prezantoi platformën e aplikimit online për qytetarët që përfitojnë nga programet e rindërtimit.

Ahmetaj tha se procesi i aplikimit do të zgjasë një muaj dhe në fund do duhet që të jenë gati dosjet e aplikantëve për të filluar me procesin tjetër të ndërtimit.

LEXO EDHE  “Kjo ishte Konferenca e Kreditorëve”/ Shano: Pjesa më e madhe janë kredi. Si do i shlyejë qeveria shqiptare?

“Janë inspektuar rreth 48 mijë banesa dhe po vijon procesi i vlerësimit të thelluar. Jemi në proces intensiv me bashkitë për zonat e reja. Sot janë identifikuar 25 zona, në 10 bashki. Jemi në fazë të avancuar me masterplanet, në Shijak, në Laç, ku do ndërtohen 500 shtëpi me qira nga qeveria turke, si dhe në Thumanë.

Komiteti Kombëtar i Rindërtimit të mërkurën do t’i propozojë qeverisë site të reja në Durrës, Lezhë, Laç, Tiranë e Kavajë. Menjëherë pas të mërkurës, në të gjithë territorin fillojnë masterplanet për të kaluar pastaj në projektet e detajuara të ndërtimit”, tha ai.