Ujësjellës-Kanalizimet pa para/ Zbardhet dokumenti i Qeverisë: Tarifa e ujit të rritet me 75%

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve që mbështeten prej vitesh nga buxheti i shtetit për shkak të performancës së tyre negative financiare parashikohet që në vitet e ardhshme bashkë me masat e mirëmenaxhimin të aplikojnë edhe tarifa më të shtrenjta ndaj konsumatorëve.

Një strategji kombëtare për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve 2020-2030 e nxjerrë nga qeveria për konsultim argumenton se shumica e ndërmarrjeve nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e tyre ndërkohë që kjo mund të përmirësohet me rishikimin e çmimit të ujit. Sipas strategjisë përballueshmëria për një rritje të tarifave mbetet ende e lartë çka do të thotë që se ende hapësirë për t’i rritur. Për këtë si referencë shërben një studim i vitit 2015 ku thuhet se fatura e ujit zë mesatarisht 2.2  për qind të shpenzimeve në një familje shqiptare nga 5 që është tavani i vendosur.

“Strategjia Kombëtare e Sektorit UK përfshin gjithashtu përmirësime në vendosjen e tarifave në përputhje me parimet e mëposhtme:  Nivelin e mbulimit të kostove nga tarifat; tarifa që bazohen në kosto;  politikat tarifore dhe përcaktimi i tarifave do të sigurojnë që shërbimet UK të jenë të përballueshme në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, ku thuhet se tarifat duhet të jenë të përballueshme duke pasur parasysh që fatura ujit dhe kanalizimeve duhet të jetë jo më shumë se 5 për qind e të ardhurave familjare për familjet me të ardhurat më të ulta”, thuhet në dokument.

LEXO EDHE  Konfirmohet rasti i tretë në Vaun e Dejës/ Nëna e të prekurit rezulton me COVID-19

Strategjia parashikon një rritje prej 75% të tarifës së ujit nga viti 2019 deri në vitin 2030 me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive UK.

Sidoqoftë, rritja mesatare e tarifave nuk e prek çështjen reale të përballueshmërisë pasi tarifa mbetet nën pragun e përballueshmërisë (vija e kuqe) gjatë gjithë periudhës, madje mbetet e tillë edhe për 10% e popullsisë me të ardhura më të ulta (vija e zezë). Për më tepër, tarifa mesatare (vija blu) mbetet tre herë më e ulët se pragu i përballueshmërisë, duke theksuar se ka ende hapësirë për të rritur tarifat me qëllim përmirësimin e performancës financiare të shoqërive, pa shkaktuar probleme të përballueshmërisë. Kështu që, tarifat mund të bëhen një burim financimi i rëndësishëm për sektorin në të ardhmen dhe të mbështesin zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Sektorit UK”, vlerëson dokumenti i qeverisë.

/Monitor.al/