Si luftohet kapja e shtetit

Nga Ilir Kalemaj

Shqipëria edhe si detyrim i përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, e ka për obligim të përshtasë dhe adoptojë acqui communitaire të BE-së dhe për këtë është dhënë asistencë ligjore dhe financiare në vazhdimësi nga Brukseli, edhe në kuadër të programeve CARDS (2001-2006), si dhe IPA I (2007-2013) dhe IPA II (2014-2020). Nuk ka qenë asnjëherë problem i mospasjes së ligjeve të mira, pasi edhe duke marrë parasysh se kemi qenë kuazi-sovran në vendim-marrje, ligjet i kemi adoptuar Made in Europe por problemi ka qenë gjithnjë implementimi. Kjo ka qenë thembra e Akilit. Qoftë përsa i përket vullnetit politik, qoftë për korrupsionin në gjyqësor, apo për punën e mangët të organeve ligjzbatuese.

Ajo qe ka ardhur në progresion me kurbë të fortë rritëse ka qenë penetrimi i krimit në politikë, madje veshja me kostum zyrtar e krimit. Dikur kriminelët sponsporizonin ose mbështesnin fushata elektorale, sot guxojnë të kandidojnë dora vetë. Beteja e humbur me krimin sjell dhe atë që rëndom në literaturë njihet si “kapja e shtetit”. Asnjë ligj dekriminalizimi nuk mund ta zgjidhë me një të rënë të lapsit këtë punë, nëse nuk krijohen institucione të forta që kontrollojnë dhe balancojnë njëra-tjetrën.

Ky fenomen ka qenë përgjithësisht i përhapur në Rusinë e Jelcinit në periudhën pas-sovjetike ku një pjesë e Dumës ishin kriminelë ose oligarkë me rekorde kriminale të cilët arritën të hyjnë në organin më të lartë legjislativ të vendit. Natyrisht i ndajnë në shkallë të ndryshme vende me demokraci hibride apo me tendenca të forta autokratike ku hyn edhe Shqipëria. Fakti që kemi rënë plot 23 vende në 3 vite në perceptimin e korrupsionit sipas Transparency International duke u renditur tashmë krenarisht në vend të 106 nga 180 vende nuk duhet të na bëjë aspak krenar. Aq më tepër që në raportin e këtij viti theksohej qartazi dhe e zeza mbi të bardhë korrupsioni politik, pra mitmarrja e përhapur dhe pranuar në shkallë të gjerë për të favorizuar PPP, koncesione dhe tendera qeveritarë.

LEXO EDHE  Rama i detyroi shqiptarët të emigrojnë, punëtorët do i sjellë nga bota

Një tjetër e dhënë e para dy ditëve nga Forumi Ekonomik Botëror na rendiste në vend të parafundit (të 87-tët nga 88) përsa i përket mobilitetit social që përfshinte faktorë si papunësia e të rinjve, mungesa e perspektivës etj. Natyrisht në këto kushte, korrupsioni kapilar, dhe martesa e krimit me politikën janë si vajisje për ingranazhet e ndryshkura të vendim-marrjes dhe ritheksoj se pa institucione të forta, pa rregulla loje të qarta ku “demokracia të jetë e vetmja lojë në qytet”, nuk mund të ketë luftë reale ndaj tendencave për “kapje shteti”.

Fakti që dominojnë të “fortët”, “biznesmenët”, “oligarkët”, ata që kanë mundësinë financiare, mungesën e skrupujve, lidhjet e duhura me politikën të na imponohen edhe si ligjvënës, edhe si burokratë, në fund të dekadës së tretë të tranzicionit, është një fakt që duhet të na bëj të reflektojmë por edhe të reagojmë. Është koha që të ketë një pakt politik. Jo një pazar, por një pakt të vërtetë për të garantuar fillimisht gjërat thelbësore. Këto janë ndër të tjera, e drejta e gjithkujt për votë të lirë dhe të barabartë, e drejta e fjalës të pakërcënuar nga petka çensuruese, e drejta e organizimit politik bazuar në demokracinë e brendshme partiake, e drejta për të pasur rregulla loje të barabarta dhe akses në institucione të pavarura, që mandej të krijojmë dhe shtetin e mirëfilltë të së drejtës, kontroll dhe balancë mes institucionesh, një pushtet të tretë të vërtetë dhe të pakorruptuar, të pandikuar politikisht dhe që jep drejtësi të paanshme. Por edhe një media kritike dhe një shoqëri civile vibrante. Në mënyrë që shqiptarët ta gjejnë shpresën këtu, në këtë vend, të besojnë që puna të vlerësohet, që djersa të shpërblehet, që ka një të ardhme për fëmijët e tyre në këtë vend.