KLP gjen rrugë “ekstra-ligjore” për të zhbllokuar kolapsin në SPAK

Nga Boldnews.al

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet t’i japë udhë kërkesës së drejtuesit të SPAK-ut për komandimin e dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë Speciale, duke konfirmuar se më shumë se një muaj pas krijimit, struktura më e rëndësishme hetimore është në kushtet e një mos-funksionimi normal.

Në mbledhjen e thirrur për këtë të Hënë, datë 27 Janar 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka parashikuar, ndër të tjera, edhe diskutimin për shpalljen e dy vendeve vakante në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, vetëm pak javë pasi caktoi përkohësisht dy prokurorë të tjerë, për të plotësuar organikën e reduktuar të SPAK-ut.

Kuadri ligjor, i miratuar si pjesë e Reformës në Drejtësi, parashikon që SPAK të përbëhet nga një trupë prej 15 prokurorësh. Numri minimal ligjor për nisjen e funksionimit të SPAK-ut ishte 10.

Por, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën një presion ekstra-institucional, vendosi të formalizojë krijimin e Prokurorisë Speciale vetëm me 8 prokurorë, në Dhjetor të vitit 2019.

Katër prokurorëve të tjerë, të kualifikuar nga KLP-ja për të qenë pjesë e SPAK-ut, janë në pritje të vendimeve përfundimtare nga strukturat e Vetingut, para se të mësohet nëse do t’u bashkohen 8 të parëve.

Procesi i rivlerësimit të tyre ka marrë një kohë të gjatë e të pajustifikuar, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në cilësinë e hetimeve të SPAK-ut.

Ndërkohë, dy kandidatë të kualifikuar për SPAK tashmë janë jashtë sistemit, ndërsa një tjetër po pret shqyrtimin e rastit të saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në kushtet kur SPAK-u nisi punën vetëm me 8 prokurorë, u konstatua shumë shpejt që ata e kanë të papërballueshme ngarkesën e çështjeve hetimore.

Krahas ngarkesës së mbartur nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, prokurorët e SPAK-ut po shqyrtojnë një numër të lartë rastesh “korrupsioni” të rëndomtë, përfshirë zyrtarë të vegjël lokalë dhe punonjës administrate në të gjithë Shqipërinë, të dyshuar për mitmarrje në vlera financiare minimale.

Ekspertë të fushës dhe juristë ngrenë dyshimin se mbingarkesa e SPAK-ut me çështje të rëndomta mund të jetë edhe një strategji për të penguar këtë strukturë që të hetojë korrupsionin në nivele të larta.

LEXO EDHE  Masat kundër koronavirusit, ja çfarë ndodh në Kapshticë

Një shqetësim të tillë e ngriti pak ditë më parë edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Ai i sugjeroi deputetëve që të shihnin mundësinë e amendimeve ligjore, duke kufizuar kuadrin hetimor të SPAK-ut vetëm në çështjet e korrupsionit elitar.

Megjithatë, Ibrahimi, por edhe vetë KLP, nuk kanë dhënë ende një argumentim bindës se përse vendosën që të ngrinin SPAK-un me një numër nën minimumin ligjor të prokurorëve, pavarësisht se ekzistonin sinjalet që struktura Anti-Korrupsion mund të përfshihej në kolaps që në fillimet e punës së saj.

Në fund të Dhjetorit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi, mes detajeve, kërkesën e drejtuesit të SPAK-ut për komandimin e dy prokurorëve, të cilët gjatë detyrës së tyre në ish-Krimet e Rënda, kishin nën shqyrtim çështje voluminoze.

Gjatë një mbledhjeje të posaçme, disa prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkuan caktimin e rregullave të qarta për të shqyrtuar dhe dhënë opinion mbështetës lidhur me kërkesa të tilla të Drejtuesit të SPAK-ut.

Gjithësesi, tashmë, KLP-ja duhet të shqyrtojë kërkesën edhe për dy prokurorë të tjerë të komanduar, një proces që shmang procedurën e ndërlikuar dhe me shumë filtra për emërimin e prokurorëve në SPAK.

Ligji i jep të drejtën Drejtuesit të SPAK-ut që, në rast të volumit të papërballueshëm të punës, të komandojë prokurorë të ndryshëm, të cilët plotësojnë kriteret formale.

Nën kushtet e mungesës së burimeve njerëzore, për shkak të procedurave të ngadalta të Vetingut, drejtuesi i Prokurorisë Speciale mund të ketë nevojë edhe për të tjerë prokurorë të komanduar, duke u shndërruar në nul, të paktën përkohësisht, procedurat e thelluara që ndjek Këshilli i Lartë i Prokurorisë për emërimin e prokurorëve në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion.