Banka e Shqipërisë, e pashqetësuar për oligarkun e Putinit në “OTP Bank Albania”

Nga BoldNews.al

Për Bankën e Shqipërisë, nuk përbën asnjë problem që një prej aksionerëve kryesorë të “OTP Bank Albania”, Megdet Rahimkulov, është i përfshirë në ‘Listën Putin” të Departamentit Amerikan të Thesarit, ku gjenden emrat e oligarkëve të lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin.

Institucioni qëndron bankar në Shqipëri ka dhënë miratimin paraprak për shitjen e “Societe Generale Albania” tek grupi hungarez në fund të vitit 2018.

Sipas Bankës së Shqipërisë, “OTP Nyrt Bank” është një bankë e besueshme, pasi është çertifikuar nga një vend i Bashkimit Europian, Hungaria.

Boldnews.al”, i cili ka raportuar më parë për peshën e oligarkut rus në “OTP Nyrt Bank”, pyeti Bankën e Shqipërisë nëse ka kryer verifikime për Megdet Rahimkulov, i cili zotëron “Kafijat” ltd, aksioneri i dytë i “OTP Nyrt Bank”, para se të jepte miratimin për shitjen e “Societe Generale Albania” tek grupi hungarez.

Përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, në një përgjigje zyrtare për redaksinë deklaruan se: “aksioneri i bankës – OTP bank Nyrt, Hungari i cili mori kontrollin e bankës në Shqipëri është bankë e licencuar dhe e mbikëqyrur nga Banka Qendrore e Hungarisë, vend anëtar i bashkimit Evropian”.

Duke iu shmangur përmendjes nominale të Rahimkulov, Banka e Shqipërisë vijon qëndrimin e saj: “Kualifikimi, përvoja dhe reputacioni i aksionerit të ri, ka konsideruar edhe analizimin dhe vlerësimin e dokumentacionit dhe kritereve deri në përfituesin e fundit (aksionerët)”.

Zgjerimi i OTP dhe rasti i Rumanisë
Në bazë të të dhënave zyrtare, “OTP Nyrt Bank”, tashmë aksionarja kyresore e “OTP Bank Albania” ka një shtrirje në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, kryesisht ato vende që kanë qenë nën kontrollin dhe influencën e ish-Bashkimit Sovjetik gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Banka u shërben klientëve të saj në 10 vende, Hungari, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Kroaci, Ukrainë, Mali i Zi, Rusi dhe së fundmi, edhe në Shqipëri pas marrjes së kontrollit 100 përqind të aksioneve të “Societe Generale Albania”.

Sipas të dhënave zyrtare të vetë Bankës, ajo ka aktivitet edhe në Rumani. Por Bukureshti ka lëshuar së fundmi sinjale mos-aprovimi ndaj zgjerimit të ‘OTP Bank Nyrt” në tregun e saj financiar dhe kjo duket se lidhet me emrin e Megdet Rahimkulov.

Agjencia bullgare e lajmeve “Bivol.bg”, e përbërë nga një trupë e pavarur gazetarësh investigativë, ka raportuar pak kohë më parë për “ekspansionin” e “OTP Nyrt Bank” në vendet ish-satelite të Bashkimit Sovjetik, i cili i la vendin Rusisë së sotme.

Në një shkrim të publikuar në 11 Shkurt 2019, me titull “Oligarku mbi të cilin ka sanksione, aksioner në bankën DSK”, agjencia “Bivol.bg” përmend, ndër të tjera, faktin që Autoriteti Anti-Trust i Rumanisë nuk lejoi që “OTP Nyrt Bank” të blinte “Banca Romanesca”, në pronësi të “Bankës Kombëtare Greke”.

Autoriteti Anti-Trust i Rumanisë nuk dha shpjegime për vendimin e tij. Por, “bivol.bu” ngre dyshime se pas këtij refuzimi mund të qëndrojë fakti se pjesë e rëndësishme e “OTP Nyrt Bank” është Megdet Rahimkulov.

LEXO EDHE  Ndryshimi i betimit të gjyqtarëve nga PS, VOA: Kushtetuta shprehet ndryshe

Në fakt, “OTP Nyrt” është në tregun bankar rumun që në fillim të viteve 2000, kur bleu “Robank” dhe “Millenium Bank”. Pra, “OTP Nyrt” nuk ka pasur probleme më parë për t’u përfshirë në tregun e Rumanisë.

Por, ajo që ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të autoriteteve rumune, duket se është afrimi i Megdet Rahimkulov në grupin financiar hungarez. Në bazë të të dhënave publike, oligarku rus ka blerë aksione në ‘OPT Nyrt” në vitin 2007, pra rreth 7 vjet pasi autoritetet rumune lejuan shitjen e “Robank” dhe Millenium Bank” tek financierët hungarezë.

Pasi Autoriteti Anti-Trust i Rumanisë shpalli refuzimin e tij në shkurtit 2019, “OTP Nyrt Bank” në Prill të atij viti njoftoi se ishte arritur marrëveshja për blerjen e “Banka Romanesca”, duke dhënë në këtë mënyrë sinjalin se autoritetet e Bukureshtit ishin bindur për realizimin e transaksionit.

Njoftimi i “OTP Nyrt Bank” për arritjen e marrëveshjes me Bankën Kombëtare të Greqisë për blerjen e “Banka Romanesca” u publikua në median ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e specializuar për zhvillimet ekonomike “seenews.com”.

Por, në Nëntor 2019, e njëjta agjenci, publikoi një artikull tjetër, në të cilin citonte autoritetet e larta rumune se po shihej mundësia që “Banka Romanesca” të shitej tek “EximBank”.

Sipas këtij artikulli, Kryeministri i Rumanisë Ludoviç Orban, deklaroi gjatë një konference për media në 7 nëntor 2019 se “qeveria do të analizojë marrjen e fundit të “Banca Romaneasca” (BROM) nga EximBank”.

Sipas shefit të qeverisë rumune, “Në kohën [e njoftimit të prokurimit] ne i bëmë vetes pyetjen: EximBank, e cila ende ka një mision sipas ligjit, pse duhet të blejë një bankë tregtare, një bankë me pakicë? Sigurisht që do të ketë një analizë, veçanërisht sepse ekziston një procedurë që ka filluar”, tha ai.

Deklaratat e kryeministrit rumun konfirmuan, në këtë mënyrë, largimin e “OTP Nyrt Bank” nga transaksioni për blerjen e “Banka Romanesca”.

Rumani, ashtu si Hungaria, është një vend i Bashkimit Europian. Megjithëse nuk janë dhënë shkaqe zyrtare për refuzimin e “OTP Nyrt Bank”, media ndërkombëtare ngre dyshimet se ky vendim vjen si pasojë e rolit të Megdet Rahimkulov, biznesmenit ruso-hungarez, i konsideruar si “oligark i Putinit”.

Banka e Shqipërisë, e cila ka vlerësuar të rëndësishëm regjistrimin e “OTP Nyrt Bank” në një vend të Bashkimit Europian (Hungari) dhe që dha gjithashtu miratimin paraprak për përfshirjen e “OTP Nyrt Bank” në tregun shqiptar, “siguron vlerësimin sipas dispozitave ligjore dhe rregullative në fuqi, duke ushtruar funksionet dhe përmbushur objektivat që përcaktohen në ligjin e posaçëm për Bankën e Shqipërisë, si autoritet licencues dhe mbikëqyrës i bankave dhe subjekteve financiare jobanka”.

Përgjigjja e Bankës së Shqipërisë për BoldNews.al

Por, Banka e Shqipërisë nuk dha asnjë përgjigje për pyetjen e “Boldnews.al” nëse “e konsideron përfshirjen e biznesmenit Megdet Rahimkulov, i konsideruar nga Departamenti Amerikan i Thesarit si pjesë e “Listës Putin”, një përfshirje e interesave ruse në tregun bankar dhe financiar shqiptar”?