Hunda e Lefterit dhe hundëpërpjeti Lali Eri

Nga Boldnews.al

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) nisi hetimet kryesisht kundër kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla, për akuzën e shitjes dhe përdorimit të lëndëve narkotike. Kjo nismë erdhi vetëm 24 orë pasi në një video të publikuar masivisht në media dhe rrjetet sociale, dyshohet se Alla shfaqet duke konsumuar kokainë në ambientet e një lokali.

Shumë shpejt SPAK po bën lojëra pa bereqet, ndonëse është strukturë e ngritur për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta publike. Paralelisht me këtë lajm për “reagimin” e SPAK, një tjetër dosje po vegjeton në Prokurorinë e Tiranës e cila lidhet me hetimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.

Deri më tani kanë përfunduar në qeli dy ish-kryetarë komunash të drejtuara nga PD, por kanë shpëtuar kryebashkiakët apo ish-kryekomunarët Rilindas, ndonëse dëmet nga tërmeti ishin shumë më të mëdha në bashkinë që sot drejtohet nga Erion Veliaj. Të paktën tre shkolla të cilat ishin rikonstruktuar nga Bashkia Tiranë në dy vitet e fundit, u shkërmoqën nga tërmeti i 26 nëntorit. Por SPAK merret me hundën e Leftër Allës, thithjen e kokainës nga ana e tij, duke lënë të paprekur “hundpërpjetin” që mbahet si kanakari i kryeministrit Edi Rama.

SPAK i nisi hetimet kryesisht, pa pasur nëvojën e denoncimit në rastin e Lefter Allës. Nga ana tjetër, disa media, kryesisht ata sociale, pasi të ashtëquajtuarat tradicionale janë shitur tek Lali, kanë paraqitur dokumente dhe skandale të shumta me abuzimin me fondet publike nga ana e Bashkisë së Tiranës.

LEXO EDHE  "Edi Rama virusi më i keq", Berisha publikon videon

Mjafton që të merren këto denoncime publike që SPAK të nisë hetimet kryesisht, pasi në fund fatura rëndon shumë. Janë miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë që shkojnë për rikonstruksione godinash, punë publike, apo udhëtime të pajustifikuara jashtë vendit në vlera të mëdha akomodimi të cilat më së paku kërkojnë hetim.

Janë të gjitha mundësitë që kjo strukturë e re të marrë në pyetje zyrtarë të bashkisë së Tiranës që kanë kolauduar objektet të cilat nga tërmeti i 26 nëntorit zbuluan cilësinë e dobët të punimeve, por pas fshehin edhe miliona euro të shkuara dëm. Po ashtu ka arsye që të tërheqë një e nga një dosjet për disa investime të gjashtë muajve të fundit që lidhen me rikonstruksione godinash. Vetëm për të krijuar luks dhe bojatisje në godinën e Ujësjellësit të Tiranës, Bashkia nënshkroi tenderin prej 5 milionë euro, pikërisht në ditën e tërmetit të madh të 26 nëntorit.

Këtë pjesë SPAK-u, shumë i pompuar si institucion i ri i drejtësisë nuk e sheh. Shumë shpejt ka nisur të bëjë hesape, ndërsa ajo që ka mbetur është propaganda. Shumë njerëz janë skandalizuar sesi një kryebashkiak shfaqet turpshëm duke marrë kokainë, por sot skandalet e vërteta janë abuzimet me paranë publike, korrupsioni në nivele të larta dhe pandëshkueshmëria.