Gara për kreun e BKH-së/ Kush janë 5 kandidatët që synojnë t’a drejtojnë (EMRAT)

Në një reagim, ambasada amerikane e ka quajtur BKH-në të ngjashme me FBI-në

Kreu i SPAK, Arben Kraja ka publikuar emrat e pesë kandidatëve që kanë aplikuar deri tani për drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët janë: Ibrahim Disha,  Artan Shkëmbi (Drejtuesi i njësisë Forca e Ligjit), Gjovalin Ulndreaj (Avokat),  Adriatik Ago (Zëvendës shefi i ShÇBA-së) dhe Sabri Hoxha (Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore). 

Përmes një njoftimi, Kraja bën thirrje që të aplikojnë edhe persona të tjerë dhe se afati është deri më 30 janar.

Për këtë post Arben Kraja ka deklaruar se duhet një person me integritet dhe se do të trajnohet nga SHBA-ja.

Kujtojmë se emri që flitet prej kohësh si një ndër drejtuesit më të mundshëm të BKH-së është ai i Artan Shkëmbit. Në shtator të vitit 2015, ai nën drejtimin e një automjeti tip “Tuareg” përplasi për vdekje një 18-vjeçar në kilometrin 5 të autostradës Tiranë-Durrës. Asokohe, mbante postin e drejtorit të Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në atë kohë ai u la i lirë me urdhër të prokurorit pasi nga verifikimet e kryera në vendin e ngjarjes, këqyrja e kamerave të sigurisë, por edhe deklarimet e disa dëshmitarëve, nuk u gjetën elementë që e bënin atë fajtor për aksidentin e kalimtarit.

Njoftimi: 

Për aplikimet për pozicionin e lirë të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH-së)

Njoftojmë se deri sot, në datën 24.01.2020, ora 9.00, kanë aplikuar këta kandidatë:
1. Ibrahim Disha 
2. Artan Shkëmbi (Drejtuesi i njësisë Forca e Ligjit)
3. Gjovalin Ulndreaj (Avokat)
4. Adriatik Ago (Zëvendës shefi i ShÇBA-së)
5. Sabri Hoxha (Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore).

Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për Drejtorin e BKH-së është një mundësi e shkëlqyer për t’u përzgjedhur për të drejtuar një grup të madh hetuesish të BKH-së, të cilët do të mbështesin Prokurorët e Posaçëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. SPAK kërkon një kandidat ose kandidate që demonstron lidership, integritet dhe profesionalizëm. Në qoftë se ju mendoni që i plotësoni kërkesat e këtij pozicioni sfidues dhe kriteret në lidhje me përvojën në punë, arsimin dhe keni një figurë të pastër, aplikoni para datës 30 janar 2020.

Shkoni tek njoftimi për këtë pozicion të lirë pune në ëebsite-in e BKH-së dhe ndiqni udhëzimet. Ju sigurojmë që procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent. Ne duam të përzgjedhim kandidatin më të mirë. Ju inkurajoj të aplikoni.Arben Kraja Drejtues i Prokurorisë se Posaçme. 

LEXO EDHE  Konferenca/ Zef Preçi: Po marrim borxh të ri për të shlyer të vjetrin