Qeveria si Pazari Milotit dhe vrasjet për pazare droge

Nga Boldnews.al

Nisje më të keqe të këtij viti për rendin dhe sigurinë, të shoqëruara me krime të organizuara me disa vrasje nuk kishte ndodhur prej kohësh. Nga fillimi i janarit dhe deri më tani janë regjistruar tetë vrasje, që nga konflikti në familje, krime me dyshim prishjet e pazareve të drogës dhe hakmarrje. Që të gjitha rëndojnë bilancin jo vetëm në statistika, por për mënyrën si ndodhin dhe më pas edhe pamundësia për të zbuluar autorët.

Biznesmeni Kastriot Reçi ekzekutohet me snajper në mes të ditës në qendër të qytetit të vogël të Rrëshenit, as 20 metra larg Komisariatit. Autori futet si burrë në një apartament të braktisur, kryen krimin dhe më pas largohet me qetësi i maskuar si femër. Shumë mendonin se duke qenë se krimi ishte kryer në një zonë të veçuar, ku vetëm dy rrugë të çojnë në Rrëshen, do të kapej shpejt, por një krim i përmasave të tilla nuk kishte si të zbulohej aq lehtë nga tetë oficerë policie që kishte komisariati i Rrëshenit, apo qoftë edhe forcat mbështetëse që mbërritën nga Lezha dhe Tirana.

Strukturave të rendit nuk u mbeti gjë tjetër përveçse të korrnin atë që krimi mbolli; gëzhojë arme, snajper special, një paruke të hedhur, gjakun e viktimës dhe disa dëshmitarë të traumatizuar. Krimi sheh krimin dhe sërish dora në këmbëzën e armëve nuk ndalet. Me radhë njëra pas tjetrës vrasjet shtohen, duke lënë pas viktima, por edhe një derë hapur për të tjera ngjarje të rënda.

Shumëçka i bashkon trafiku i drogës, i lulëzuar masivisht në vitet 2016-2017, në një situatë të paprecedent, ku e gjithë Shqipëria jetoi nën duhmën e kanabisit dhe bosët e drogës nisën të fuqizoheshin. Përveç “grupeve tradicionale”, lindën edhe banda më të vogla, që duke përfituar nga mosreagimi i strukturave shtetërore, u bënë bosë të së keqes në pak kohë. Sasia e madhe e kanabisit të trafikuar u dha mundësi disa grupeve kriminale që jo vetëm të fuqizinin pozitat e tyre, por edhe të nisën betejën për të nënshtruar rivalët.

LEXO EDHE  Bardhi-Gjonajt: Para se të mashtrosh qytetarët, më mirë gjej një avokat

Sot nuk përbën çudi që kryepolici i Dibrës që në shtator 2016 shantazhonte qytetarë dhe siguronte vota për PS-në, të dalë më një vëlla trafikant. Nuk është aspak çudi që kupola drejtuese e Policisë së Shtetit në Vlorë, Tepelenë, Shkodër dhe Gjirokastër rezulton ende në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike, por të tjerë policë me një grusht spatela në supe dyshohet se bëjnë ende pazare me trafikantët.

Porti i Durrësit dhe Vlorës u kthye në hambarin e kanabisit, ndërsa Italia dhe Greqia gati sa nuk shpallën gjendjen e jashtëzakonshme nga sasia e madhe e lëndëve narkotike si produkt shqiptar që pluskonte në bregdetin e tyre.

Përballë këtij realiteti, që sot hesapet e trafikantëve të drogës po i lan arma, qeveria i ngjan “Pazarit të Milotit”, ku thirret me të madhe për “mish gici e bagëtie të freskët”, dhe teksa thika pret e rjep gëzofët e kafshëve në mes të rrugës, në fund i japin një pompë ujë për të larguar atë mizerje… E keqja nuk lahet me ujë, as nga një shpëlarje truri që nis nga Ministria e Brendshme dhe përfundon në drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

E tillë ishte edhe një nismë e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili urdhëroi të gjithë drejtuesit e policisë që të “qepnin gojën” me mediat, duke u kërkuar që të mos japin asnjë informacion për vrasjet, në të kundërt do të marrnin masa ndëshkuese për ta. Qeverisë më shumë se zbardhja e krimeve i intereson që të mos prishet imazhi dhe si mënyrë për të ruajtur disi bojatisjen kanë gjetur heshtjen, por armët me sileciator apo pa të tillë lënë të vdekur në mes të qytetit, në mes të ditës apo natës. Vrasjet janë gjëmë, pavarësisht tentativës për heshtje, edhe më e rëndë është kur pazari i drogës lidhet me pazarin e madh të qeverisjes.