PD- LSI si zjarrfikës kundër opozitarizmit

Nga Andi Bushati

Historia po përsëritet tragjikisht, e njëjtë si pothuajse një vit më parë. Të gjithë atyre që janë ngritur sot për të kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe për të kundërshtuar marrëveshjen për tryezën mazhorancë- opozitë, po u bëhet i njëjti proces denigrimi sikurse protestave të studentëve në dhjetor- janarin e shkuar.

Kush e kthen pak filmin mbrapsht, për të evokuar ditët fantastike të manifestimeve përpara ministrisë së Arsimit, do të kujtojë me siguri mllefin, helmin dhe dufin që derdhi opozita zyrtare kundër atyre grupeve dhe segmenteve që nuk i kontrollonte dot. Lëvizja për Universitetin dhe Organizata Politike, u etiketuan si marksistë që ishin kundër interesave të studentëve. Lideri i tyre, Arlind Qorri, kauzat dhe betejat e të cilit ndaj qeverisë Rama edhe sot e kësaj dite, janë në një nivel moralisht më të respektueshëm dhe parimisht më të vendosur se ato të PD- LSI, u përgojua si i shitur tek Erion Velija.

Propaganda e pisët e opozitës arriti deri në atë pikë sa, me anë të organit zyrtar “RD”, t’i quante protestuesit si “këlyshë të Qorrit”, ndërsa Monika Kryemadhi, me gojën e saj, denonconte OJF e paguara nga kryeministri.

Se ç’ndodhi më pas e dinë të gjithë. Partitë futën mes studentëve militantët kokëtrashë të FRPD dhe LRI, ata filluan të grinden me të tjerët, me qëllim që të bashkonin protestën studentore me atë opozitare, duke e dërguar nga rruga e Durrësit drejt bulevardit qëndror. Pak nga pak, edhe me ndihmën e makinerisë së përbindshme të pushtetit, manifestimet u shuan.

I njëjti gjyq publik po u bëhet sot edhe aktivistëve të Nisma Thurje, që janë angazhuar në një lëvizje qytetare, e cila militon për një sitem me lista të hapura, që u heq kryetarëve të partive monopolin për përzgjedhjen e deputetëve. Edhe ata, nga i njëjti kor, akuzohen se i shërbejnë Edi Ramës, se favorizojnë ata oligarkë me të cilët opozita zyrtare bën vetëm beteja fallco, se duan të fshijnë nga lista e prioriteteve emergjencën e vjedhjes së votave, etj.

Po të njëjtës gjueti shtrigash i janë nënshtruar edhe ata zëra rebelë, që duke qenë kritikë të paepur të rregjimit autokratik të kryeministrit, nuk i durojnë dot piruetat, mungesën e koherencës apo pazaret okulte të opozitës zyrtare. Edhe ata u përgojuan me vetë gojën e liderit demokrat, si revolucionarë apo të shitur tek pushteti.

LEXO EDHE  "Plagosi efektivin e FNSH-së"/ Si përfundoi në vetëvrasje Fatmir Kolecaj

Natyrisht, unë e kuptoj se pafuqia e opozitës për t’u shkëputur nga sistemi, nuk mund të bashkjetojë as me majtizmin idealist të Arlind Qorit, as me pastërtinë e pakompromis të të rinjve të Organizatës Politike.

Eshtë gjithashtu e hamendësueshme se ajo që kërkojnë Endri Shabani e Pano Soko, mund të jetë katërcipërisht e kundërta me konceptin e partisë me tapi që zbaton Basha, apo asaj familjare që trashëgon Kryemadhi.

E njëjta gjë mund të thuhet ta zëmë edhe për Fatos Lubonjën, që, herë pas here, zgjedh ta fshikullojë këtë opozitë nga një piedestal moral, që nuk të lejon t’i ndyesh duart në gjirizet e luftës për pushtet.

Pra, është e kuptueshme se PD dhe LSI shpesh mund të mos jenë dakord as me këto lëvizje dhe as me këto zëra kritikë. Ata, mund t’i ndajë prej tyre këndvështrimi për botën, taktikat e zgjedhura, mosdakordësia për shumë tema të ndryshme.

Po nga këtu e deri tek etiketimi si të shitur, si armiq të opozitarizmit apo si shërbyes të Ramës, është një hendek i madh.

Pikërisht këtë hendek po thellon opozita zyrtare, e cila ka rënë pre e slloganit, “kush nuk është me mua është armiku im”. Dhe kjo është gafa më e madhe e saj.

Pasi në vend që të luftojnë për krijimin e një fronti të përbashkët, si e vetmja rrugë me anë të së cilës pëmbyset një rregjim, ato e fragmentarizojnë atë.

Pasi në vend që t’i hedhin sot benzinë çdo shkëndije që mund të përzhitë kleptokratin në pushtet, ato i friksohen zjarrit që mund t’i djegë, njësoj si Ramën, në të ardhmen.

Me frikën se mund të humbasin monololin e një beteje bipartizane, PD dhe LSI janë shndërruar, ndoshta pa e kuptuar, në zjarrfikse të opozitarizmit. Ato po mbajnë larg dhe të përçara të gjitha lëvizjet e tjera anti qeveritare dhe zërat kritikë me këtë pushtet. Dhe paradoksi është se duke akuzuar këta të fundit si të shitur tek Rama, po i shërbejnë në mënyrë perfekte atij. /Lapsi/