Lirimi i “të fortëve”/ Fajin e ka KÇK? Ja vlerësimet e Burgjeve që ndihmuan të dënuarit

Nga Boldnews.al

Pas çdo rasti të lirimit të të “fortëve” të dënuar me burgime të gjata, të cilët nuk janë të pakët këto kohët e fundit, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj shfaqet e vendosur për të sulmuar gjyqtarët që marrin vendime në favor të eksponentëve të grupeve kriminale.

Gjithnjë, në krah të saj, është kryeministri Edi Rama, i cili gjen rastin për të sulmuar ata që ai i konsideron grupin “Kap çfarë të Kapësh” (KÇK) në sistemin e drejtësisë.

Po sa qëndron ky sulm? Legjislacioni shqiptar parashikon që të burgosurit mund të përfitojnë ulje dënimi apo lirim me kusht, pasi të plotësojnë dy kritere baze: të kenë vuajtur një periudhë të caktuar dënimi, si edhe të kenë sjellje shembullore në ambjentet e burgut, e vlerësuar kjo nga administrata e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP).

Pra, një rol të rëndësishëm në vendimet gjyqësore për uljen e dënimit apo lirimit të të dënuarve ka administrata e Burgjeve, struktura në varësi të ministres Etilda Gjonaj, e cila zgjedh të sulmojë gjyqtarët.

Raste të tilla ka plot. “Boldnews.al” ka identifikuar disa vendime gjyqësore, ku “të fortët” janë liruar, pasi kanë siguruar karakteristikë pozitive dhe vlerësime për “sjellje shembullore” nga ana e zyrtarëve të Burgjeve.

1. Indrit Dokle
Ish-anëtari i Bandës së Durrësit, Indrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm, u lirua në 14 Janar 2020. Në vendimin e saj, gjyqtarja Enkelejda Hoxha, është bazuar në dy elementët për t’i dhënë lirinë Dokles. Sipas saj, ai ka vuajtur 25 vjet burgim, si edhe Shërbimi i Provës së qytetit Krujë, ku ai vuante dënimin, e ka cilësuar sjelljen e Indrit Doklen në burg si “shembullore”.

2. Sardian Sulejmani
Një tjetër ish-anëtar i Bandës së Lushnjes, Sardian Sulejmani, i dënuar me 25 vjet burgim, u lirua nga burgu i Fierit në datë 11.10.2019. Në vendimin e lirimit, nr. 62, gjyqtari i çështjes, Piro Sota, ndër të tjera, citon karakteristikën e dorëzuar nga Burgu i Fierit për të dënuarin Sulejmani.

“Zyra Vendore e Shërbimit të Provës Fier,…me aktin “Raport i vlerësimit për të dënuarin”, ka arritur në konkluzionin se riintegrimi i të dënuarit Sardian Sulejmani në shoqëri, është i mundshëm. Gjatë qëndrimit në IEVP, ai ka shfaqur sjellje korrekte me bashkëvuajtësit si dhe me punonjësit,duke respektuar rregulloren dhe ligjet në fuqi,duke treguar kështu që është arritur qëllimi për edukimin e tij”, citohet shkresa e administratës së burgut të Fierit.

3. Taulant Haxhiraj
Taulant Haxhiraj, i konsideruar si “mëkëmbësi” i Habilajve, i dënuar për “pjesëmarrje në organizatë kriminale”, , ka përfituar një ulje dënimi prej 90 ditësh në 2 Tetor 2019. Në vendimin nr. 1405 të gjyqtares së Fierit, Matilda Shalla, citohet akt-vlerësimi i burgut të Fierit, që ndikoi në përfitimin e Taulant Haxhirajt.

“Nga Vlerësimi i sjelljes nr.2106 Prot. datë 02.10.2019 të I.E.V.P. Fier rezulton se “…i dënuari gjatë qëndrimit në institucion ka shfaqur sjellje pozitive dhe nuk është dënuar me masë disiplinore…I dënuari ka krijuar marrëdhënie korrekte me personelin dhe bashkëvuajtësit, Merr pjesë në programe rehabilituese dhe veprimtari kulturore-sportive që zhvillohen në institucion…”.

4. Shkëlqim Koçiaj
Një tjetër anëtar i bandës së Habilajve, Shkëlqim Koçiaj, përfitoi ulje dënimi 90 ditë nga gjykata e Fierit, në bazë të një vlerësimi pozitiv të administratës së Burgjeve. Në vendimin nr.1406, gjyqtarja Matilda Shalla citon akt-vlerësimin e Burgut të Fierit për Koçiajn:

LEXO EDHE  Basha: Rama dhe Veliaj nuk mund të fshehin të vërtetën, Teatri do të ruhet nuk do ndërtohen kulla

“…Rezulton se …i dënuari gjatë qëndrimit në institucion ka shfaqur sjellje pozitive dhe nuk është dënuar me masë disiplinore,…I dënuari ka krijuar marrëdhënie korrekte me personelin dhe bashkëvuajtësit, Merr pjesë në programe rehabilituese dhe veprimtari kulturore-sportive që zhvillohen në institucion…”.

5. Xhuliano Boçi
Më i riu i bandës së Habilajve, Xhuliano Boçi, ka përfituar gjithashtu ulje dënimi me 90 ditë, falë vlerësimit pozitiv të Burgut të Fierit. Gjykata e këtij qyteti, në vendimin nr.62, dt.1 Tetor 2019, përmend si shkak për lehtësimin e dënimit të Boçit, pikërisht vlerësimin pozitiv të administratës së Burgjeve.

“I dënuari….ka marrëdhënie të mira me stafin dhe bashkëvuajtësit, merr pjesë në veprimtari kulturore sportive, me sjelljen e tij krijon besueshmëri…”, citohet vlerësimi i Burgut të Fierit në vendimin e Gjykatës.

6. Genc Tafilaj
Genc Tafilaj, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e drejtuesit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, në vitin 2000, përfitoi lirinë pasi kryer rreth 17 vjet burgim. Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, e cila i dha lirinë me vendimin e datës 16 Mars 2018, në vendimin e saj citon akt-vlerësimin e Shërbimit të Provës së qytetit.

Në vendimin nr.34, dt.16 Mars 2018, lexohet ndër të tjera: “Shërbimi i Provës ka konkluduar se i dënuari ka kapacitetin, motivimin dhe mbështetjen e nevojshme për të përballuar sfidat dhe vështirësitë e jetës së lirë. Shërbimi i Provës arrin në konkluzionin se nuk është e nevojshme vazhdimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të dënuarin Genc Tafilaj…”.

7. Nehat Kulla
I vetëquajturi “Gjenerali”, një prej personazheve të botës kriminale të fund-viteve ’90, Nehat Kulla, i dënuar për vrasjen e Halim Gjuzit, në vitin 1998, fitoi lirinë në 26 Qershor 2019.

Në vendimin nr.34, të Gjykatës së Krujës, citohet akt-vlerësimi i Burgut të Fushë-Krujës, i cili ka ndikuar në lirimin e Kullës.

“Nga Vlerësimi i sjelljes i I.E.V.P. Fushë-Krujë rezulton se i dënuari Nehat Kulla ka sjellje shembullore në veprimtaritë trajnuese, duke dhënë prova për riintegrimin në shoqëri… Rezulton se ka ndërtuar marrëdhënie dhe komunikim të rregullt me personelin dhe bashkëvuajtësit, merr pjesë në programet trajnuese dhe rehabilituese, merr pjesë në seancat këshilluese, kryen takime të rregullta me familjarët, etj”.

8. Lulzim Berisha
Lulzim Berisha, i konsideruar si kreu i Bandës së Durrësit, fitoi lirinë nga Gjykata e Apelit të Durrësit në Dhjetor 2016, kur i kishin mbetur edhe 7 vjet vuajte dënimi.

Apeli i Durrësit, në vendimin nr.10, dt.5 Dhjetor 2016, citon, ndër të tjera, karakteristikën e plotësuar nga Burgu i qytetit. “IEVP Durrës, ka paraqitur të gjithë dokumentacionin që përmbledh vlerësimet e sjelljes së të dënuarit Lulzim Berisha ndër vite, ku pasqyrohet një sjellje shembullore e tij në institucion, pa asnjë masë disiplinore të dhënë ndaj tij, duke mos cënuar asnjë pikë të rregullores së burgjeve”.