Kush ishte e dashura e Aldo Bares dhe biznesmeni i njohur që kontrollonte trafikun

Vrasja e të tmerrshmit Artur Daja, nuk plotësoi kënaqësinë e Aldo Bares. Ky i fundit nuk ia fali kurrë Bledar Haxhiut faktin që ia solli të vdekur armikun, që donte të torturonte para se ta ekzekutonte.

“Kur pjesëtarët e grupit shkuan dhe hapën bagazhin dhe e gjetën të ekzekutuar janë bërë keq”, tregon gazetari.

Për këtë, Haxhiu e pagoi shtrenjtë. Ai nuk u fal, siç i ishte premtuar. Mëngjesin e 23 tetorit të vitit 1998, ai po udhëtonte me një automjet tip fuoristradë së bashku me Artan Sulçen nga qendra e qytetit drejt fabrikës së plasmanit. Në një kryqëzim, e prisnin Petrit Liçi, Erjon Kashari dhe Elton Mermali të cilët hapën zjarr me kallashnikov duke i lënë të vdekur të dy. Pranë afrohen me pistoleta Edjan Xhafaj dhe Dritan Vila që u dhanë plumbin e sigurisë.

Edjan Xhafaj, organizatori i krimit ishte objektiv i një atentati 6 muaj më vonë, në Qershor të vitit 1999. Ai u vra me armë zjarri në Itali. Ngjarja mbeti e pazbardhur. Po në vitin 1999, në Itali ekzekutohet në rrethana ende të panjohura anëtari tjetër i bandës Gentian Xhaferri i cili i kishte shpëtuar një atentati në Lushnje.

Pas eliminimit të Artur Dajës dhe njerëzve të tij, në Lushnje ligji bëhej nga banda e Aldo Bares. Askush nuk guxonte tu kundërvihej. Gjobat ndaj biznesmenëve dhe grabitjet e pronave ishin diçka e zakonshme në Lushnje.

“Qytetet ishin komplet në zotërimin e bandave dhe çdo gjë vendosej, madje kishte akses dhe në Ministrinë e Rendit”, thotë Spartak Poçi, ish – Ministër i Rendit.

Banda e Aldo Bares kishte ngritur një perandori ekonomike. Ai kishte shtënë në dorë Lagunën e Karavastasë. Rreth 90 punëtorë të Ndërmarrjes së Peshkimit ishin bërë aksionarë pas privatizimit. Ata u detyruan të firmosin shitjen e kuotave të tyre për vlera simbolike.

LEXO EDHE  Ja si të fitoni 15 mijë euro duke qëndruar shtrirë

Ndërmarrja ishte në emrin e të dashurës së Aldo Bares, shtetases Denada Kodra, vajza që shihni në foto, imazhi i së cilës publikohet për herë të parë nga Top Story. Kodra, prej asaj periudhe jeton në Bukuresht, ku është lokalizuar para arrestimit edhe partneri i saj.

Italianët përgjuan në atë kohë telefonatën e një pjesëtari të grupit me drejtorin rajonal të Mjedisit. Atij i kërkohet numri i ministrit Lufter Xhuveli për çështjen e Lagunës. Banda kishte në zotërim edhe sport Klub Lushnjen në atë periudhë, bingon e qytetit dhe të tjera aktivitete.

“Si pastaj i takon zotërimit të linjave të trafikut, kryesisht drogës edhe të qenieve njerëzore por dhe shkak të aseteve që me firmat e zyrtarëve socialist të kohës ishin dhënë, stadium, laguna e Karavastasë”, ”, thotë Spartak Poçi, ish – Ministër i Rendit.

President i klubit të futbollit për disa vite ka qenë Edmond Bega, një emër tepër i dëgjuar për publikun. Fotoja që shihni, i përket pikërisht Begës dhe është pjesë e dosjes së prokurorisë së Torinos që hetonte bandën e Aldo Bares.

Referuar këtij dokumenti që shihni, pikërisht ky person drejtonte trafikun e drogës për llogari të Aldo Bares. Organizata ishte ndarë në dy pjesë, ajo e Torinos që drejtohej nga Bega dhe ajo e Romës që drejtohej nga Enver Dondollaku. Dukej sikur ato ishin të ndara, por në fakt ishin një rrjet i mirëorganizuar që vepronte për llogari të Aldo Bares. Sipas përgjimeve, Bega, i njohur edhe me emrin Manol Bego, kishte lidhje me policinë shqiptare në atë kohë. Në shumë raste, ai përmes këtyre lidhjeve, informonte pjesëtarët e grupit në Lushnje për çdo lëvizje të policisë që i rrezikonte.

/Burimi: Top Channel/