Kryeinspektori i Drejtësisë/ Heshtja e ndërkombëtarëve, ku shkoi “garancia” e Reformës

Nga Boldnews.al

Selitë dhe misionet diplomatike në Tiranë, si rrallë herë, nuk ka përcjellë mesazhe përshëndetëse për zgjedhjen e Artur Metanit në postin e Kryeinspektorit të Drejtësisë.

Kjo duket se është shenjë e mos-aprovimit të tyre për zgjedhjen e një juristi të njohur për afërsinë me qeverinë e Edi Ramës, si edhe për faktin që është vëllai i deputetes socialiste, Eglantina Gjermeni.

Por, kjo heshtje mos-aprovuese e ndërkombëtarëve, të cilët janë sjellë si “garant të pavarësisë së drejtësisë”, nuk ndryshon aspak faktin se Kryeinspektori i Drejtësisë, me nuanca të forta politike, do të jetë 9 vjet në detyrë dhe do të ketë nën kontroll të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë.

Artur Metani u zgjodh në postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nëpërmjet një procedure të dyshimtë kualifikuese nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga një tjetër personazh i afërt me Partinë Socialiste në pushtet, Ardian Dvorani.

Metani, deri më tani Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, nuk plotësonte kriteret formale ligjore për t’u kualifikuar si kandidat për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ai ishte në shkelje të kriterit që nuk duhet të kishte pasur funksion politik në 10 vitet e fundit.

Artur Metani ka qenë këshilltar i institucionit të Presidencës deri në vitin 2012. Pozicioni që ai ka mbajtur pranë Kreut të Shtetit konsiderohet “politik”, sipas ligjit mbi “Administratën Publike”.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me një vendim të ndarë 5-2, votoi në fund të vitit 2019 për të kualifikuar kandidaturën e Artur Metanit për vendin vakant të Kryeinspektorit të Drejtësisë.

Procedura vijuese ishte formalitet, kur KED renditi emrin e Metanit të parin në listën prej 5 kandidatësh që i dërgoi Parlamentit për votim.

LEXO EDHE  Ngjarje e rëndë/ Gjendet i vetëvarur një 58-vjeçar në Pogradec

Ligjvënësit kishin mundësinë që të zgjidhnin një prej kandidaturave, jo domosdoshmërisht të parin. Por, shumica socialiste, si edhe disa nga deputetët pa identitet të “opozitës parlamentare”, votuan në favor të Artur Metanit.

Menjëherë pas votimit në Parlament, Partia Demokratik në opozitë reagoi, duke e konsideruar zgjedhjen e Metanit si një dëshmi e radhës për kapjen e sistemit të drejtësisë nga ana e Edi Ramës.

Ndërkohë, zgjedhja e tij është pasuar me një heshtje nga ana e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, të cilët, nëpërmjet misioneve të tyre të asistencës, janë bashkë-autorë të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Dy selitë diplomatike kanë kundërshtuar, në mënyrë indirekte, deklarimet e opozitës dhe ekspertëve të fushës, se aplikimi në praktikë i Reformës në Drejtësi po vendos pushtetin gjyqësor nën diktatin e Edi Ramës.

Diplomatët kanë zgjedhur që të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë, pavarësisht se formimi i tyre është tërësisht i dyshimtë.

Por, në rastin e Metanit, edhe ata duket se, më në fund e kanë kuptuar se Edi Rama dhe pasuesit e tij nuk lënë asnjë rast pa kapur institucionet e reja të drejtësisë.

Heshtja e diplomatëve të huaj nuk duket se shqetëson kreun e kabinetit qeveritar. Ai tashmë ka nën kontroll çdo mekanizëm të sistemit të ri të drejtësisë dhe kjo i siguron, më së paku, një jetë të qetë politike dhe personale për veten e bashkëpunëtorët e tij, larg andrallave penale, edhe për 10 vitet e ardhshme.