Amnistia drejt miratimit, 164 të dënuar pritet të lënë qelitë/ Kush përfiton

164 do të jenë të dënuarit që do të lënë qelinë, pasi Kuvendi të miratojë projektin e qeverisë për amnistinë. Detajet i dha në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Sipas analizës që ne kemi kryer, rezulton që përfitojnë 164 të dënuar: 141 janë meshkuj dhe 22 janë femra. Njëri është i mitur”, tha ministrja Gjonaj.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin e qeverisë për amnistinë, por me dy ndryshime. Ndryshimi i parë lidhet me penalizimin e të gjithë atyre që janë dënuar për shkak se kanë vjedhur. Propozimi i kryetares së komisionit të sigurisë që të mos përfitojnë ata që janë dënuar për vjedhje, pasi ky fenomen është në rritje, është miratuar nga anëtarët e komisionit. “Vjedhja është një vepër e përhapur, janë 4 mijë e ca raste, gati gjysmës nuk i dihet autori. Prandaj të dënuarit për vjedhje të mos përfitojnë nga amnistia” tha ajo. Në amnisti u miratua edhe propozimi i dytë i Felajt, që ata që janë dënuar për ndërtim pa leje të lirohen nga burgu.

Kategoritë që përfitojnë sipas projekligjit
1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

2. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.

5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.  

6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.

LEXO EDHE  Konferenca e donatorëve/ Goxhaj: SHBA do shpenzojë 5 mln USD për transparencën e 1.1 mld eurove