“SPAK të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë”/ Kreu i KLP shpreh pakënaqësi

Të gjithë presin rezultate konkrete nga ngritja dhe funksionimi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Por suksesi apo dështimi në punën e këtij institucioni varet nga disa faktorë. Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi ngriti shqetësimin për gamën e gjerë të veprave penale në fushën e korrupsionit, gjë të cilat sipas tij nuk duhet të ishin në juridiksionin e SPAK.

Ibrahimi tha se nëse duhen rezultate pozitive në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme të reduktohet dhe të përqendrohet tek ata zyrtarë që kanë peshë.

Gent Ibrahimi: Një çështje me rëndësi jetike në suksesin apo dështimin e hetimit të korrupsionit është zgjedhja që bën legjislatori në lidhje me juridiksionin e prokurorisë së posaçme, me fjalë të tjera zgjedhja e portofolit të veprave penale që hetohen nga kjo zyrë prokurorie apo nga një zyrë tjetër prokurorie, në rastin tonë është fjala për portofolin e SPAK.

Po ta krahasosh sferën e çështjeve penale që heton sot SPAK në krahasim me atë sferë çështjesh që hetonte Prokuroria e Krimeve të Rënde është evidente një ngushtim dhe përqendrim tek ato vepra penale që janë të rëndësishme, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Kam një pikëpyetje për këtë të dytën, që jam i bindur që do dëgjojmë për të gjithmonë e më shpesh në të ardhmen nëse zgjedhja që është bërë për juridiksionin e SPAK sa i takon korrupsionit është apo nuk është më e mira. Fakti është që prokuroria jonë e posaçme do të jetë e detyruar të hetojë edhe çështjen më banale të korrupsionit në periferitë e këtij vendi, krahas çështjeve të rëndësishme të korrupsionit që përfshijnë liderin e lartë të administratës dhe të politikës. Kjo ndoshta me kalimin e kohës do të vërtetojë që nuk ishte zgjedhje e mirë. Është vërtetë jetike që zgjedhja, vendimet në lidhje me juridiksionin të jenë të tilla që të mundësojnë rezultatet që ne i presim. Në rast se presim rezultate në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme në këtë aspekt të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar atyre funksionarëve që kanë peshë.

Një tjetër shqetësim që ngriti Gent Ibrahimi ishte edhe mënyra e financimit të institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, KLP dhe SPAK janë të nënfinancuara, ndërsa tha se duhen me shume burime njerezore dhe resurse materiale.

Gent Ibrahimi: Institucionet e drejtësisë në Shqipëri pavarësisht sforcimit që është bërë në reformën në drejtësi vazhdojnë të nënfinancohen në mënyrë dramatike. Të gjithë ne, KLP, SPAK jemi të nënfinancuar në mënyrë dramatike. Kuptohet që nuk mund të ketë rezultate pa mbështetjen e nevojshme financiare. Është një aspekt i rëndësishëm i qeverisjes së sistemit dhe aspekti tjetër është menaxhimi i burimeve njerëzore dhe resurseve materiale. Në rastin e prokurorisë në Shqipëri ka një ndarje ishullore. /Oranews/

LEXO EDHE  Parashikimi i motit/ Ja çfarë kohe na pret në fundjavë