Mediat zgjojnë policinë/ Arrestojnë të riun që xhironte gomat, por jo vrasësit

Dy të plagosur në Vlorë asnjë i arrestuar ishte lajmi i ditës së shtunë, dy të plagosur në Tiranë asnjë i arrestuar lajmi i ditës së diel, një i vrarë sërish në Tiranë ishte lajmi i ditës së hënë, por ende asnjë i arrestuar, autorët të gjithë të paidentifikuar.

Por policisë së Tiranës i doli gjumi ditën e martë, pasi vuri në pranga një 29-vjeçar që xhironte gomat e makinës së tij luksoze para komisariatit numër 6.

Ajo që e bën edhe më qesharak reagimin e policisë është se vetë uniformat blu në njoftimin për mediat zbulojnë se xhirimin e gomave të makinës nuk arritën ta shohin live, por vetëm pasi u bë publik në mediat elektronike.

Xhiroi gomat dhe bëri manovra të rrezikshme në rrugë, para Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe u largua me shpejtësi, por kapet nga Policia Rrugore 29-vjeçari nga Tirana dhe shoqërohet në Komisariatin Nr. 6, për veprime të mëtejshme. Nisur nga postimi në disa portale elektronike, ku shfaqej një automjet i markës Mercedes Benz me ngjyrë të bardhë duke bërë manovra të rrezikshme dhe xhirime gomash në rrugën “Llazi Miho”, përpara Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, shërbimet e Policisë, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave  përreth vendit ku drejtuesi i mjetit kishte xhiruar gomat, bënë të mundur identifikimin e automjetit’, thuhet në njoftimin e policisë.

Mesa duket policia e Sandër Lleshit tashmë do të arrestojnë keqbërësit dhe kriminelët vetëm në rast se e zbulon media, në të kundërt kriminelët mund të vrasin e plagosin sa herë të kenë qejf.

Por kriminelët mund të fshihen dhe për pak kohë, pasi sa të miratohet ligji ‘antishpifje’ i kryeministrit Edi Rama, jo vetëm policia, por edhe media nuk do të mund t’i ‘arrestojë’ më, pasi secili prej tyre ka të drejtë të mbyllë portalin, pasi gazetarët si të gjitha qeniet njerëzore shpesh gabojnë gjatë raportimit të lajmit pasi shkruajnë se: ‘u vra nga një pistoletë’, ndërkohë krimineli mund të ketë qëlluar me automatik.

LEXO EDHE  Koronavirusi, simptomat dhe si duhet të ruheni/ Mënjanoni kontaktet me këdo që ka temperaturë

Ne si media jemi të detyruar të publikojmë njoftimin ashtu siç na është dërguar nga policia e shtetit, por kemi të drejtën edhe të pyesim nëse ky njoftim është shkruar nga njerëz të përgjegjshëm apo nga skenaristë të emisioneve të humorit.

Kur lexon se:

Pas identifikimit të të dhënave të automjetit që shfaqej në videon e publikuar, rrugorët e kryeqytetit organizuan kontrolle të shtuara. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në Unazën e re u bë i mundur ndalimi dhe shoqërimi i drejtuesit të automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, ku po kryhen dhe verifikimet e nevojshme, me qëllim procedimin penal të personit përgjegjës për veprimet dhe sjelljet e rrezikshme në rrugë, si dhe procedimin administrativ për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor të konsumuara nga drejtuesi i këtij automjeti, që kanë rrezikuar jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës që gjendeshin në afërsi të vendit ku automjeti po kryente manovrat e rrezikshme’, nuk na ngelet gjë tjetër veçse të themi se sikur këto kontrolle të shtoheshin sa herë ka vrasje dhe vjedhje në vend, mbase gazetarët e kronikës do të kishin më pak ‘arrestime’ për të bërë.

Gjithsesi ne gazetarët i kërkojmë policisë që përveç moshës të bënte të ditur dhe identitetin e ‘kriminelit’ që xhiroi gomat, sepse shpeshherë nuk e ka patur problem të bëjë publik emrat e të vrarëve, fëmijëve të aksidentuar apo dhe gazetarëve të arrestuar. /Boldnews.al