Marrëveshja me Serbinë, Zogaj tregon mesazhin nga Amerika

Me ndërmjetësimin e Amerikës, të hënën është nënshkruar marrëveshja Kosovë-Serbi për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Marrëveshja u nënshkrua në Berlin, në prani të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Berlin, Richard Grenell, i cili është edhe dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë marrëveshje, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se që 20 vite bashkësia ndërkombëtare na ka lutur që të funksionojmë si shtet, por që ne nuk po dëgjojmë.

“Qe 20 vjet, e sidomos në 10 vitet e fundit, bashkësia ndërkombëtare, bashkë me të gjithë miqtë e vërtetë të Kosovës, na kanë lutur që të funksionojmë si shtet, pra që t’i kryejmë detyrat institucionale të duhura për një shtet demokratik. Pra po na lusin të funksionojë shteti ligjor dhe të çrrënjoset korrupsioni dhe krimi i organizuar! Por ne i kemi shti “veshët në lesh””, është shprehur ai.

Andaj, sipas tij bashkësia ndërkombëtare është lodhur dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje është dëshmia konkrete për këtë.

LEXO EDHE  Vrasja e 5-fishtë, Prokuroria e Kosovës jep detajet

“Prandaj bashkësisë ndërkombëtare ka filluar t’i soset durimi dhe, siç po shihet, nuk do të pres, sepse, koha e pritjes është harxhuar! Nënshkrimi i marrëveshjes për lidhjen ajrore Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin amerikan, është dëshmia konkrete se, nuk ka më pritje”, ka theksuar Zogaj.

Ai thotë se ky ky hap është i qëlluar dhe mesazh i fortë që Kosova nëse nuk i kryen vet detyrat, do t’i kryejnë të tjerët, e në këtë rast nuk është pyetur as Serbia.

“Sado që dikush mund të mos ndihet mirë, ky hap është shumë i qëlluar dhe mesazh i fort që Kosova duhet ta kuptojë dhe të mos vazhdojë ta neglizhojë fatin historik, sepse, nëse nuk i kryen vet detyrat , atëherë do t’ia kryejnë të tjerët, pa u brengosur, se a na pëlqejnë apo jo!? Sa i përket Serbisë, as ajo për këtë marrëveshje nuk është pyetur fare, kështu që deklaratat serbe në krye me Vuçiqin, janë sa me i bë qejf vetes”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.