KLGJ nxjerr blof Etilda Gjonajn: Procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve, kompetencë e ILD

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) përmes një deklarate sqaron se procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve janë kompetencë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Reagimi i KLGJ-së ka ardhur pak ditë pasi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një deklaratë për mediat tha se do i drejtohej KLGJ lidhur me gjyqtarët që po lirojnë nga burgjet të dënuar për vepra të rrezikshme penale.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton Këshillin e Lartë Gjyqësor si organin përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve.

Në lidhje me këtë të fundit, neni 147/d i Kushtetutës parashikon se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.

Pra, nuk është Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Inspektori i Lartë të Drejtësisë, organi kushtetues i cili fillon procesin e kryerjes së verifikimit të shkeljeve disiplinore dhe të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.

LEXO EDHE  Nisma e Beqajt në 2020 për paketat e duhanit, ishte në ligj prej 2013-s

Kompetencat dhe përgjegjësitë respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë rregullohen më hollësisht edhe në Ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë””, thuhet në deklaratën e KLGJ-së.

Në vijim sqarohet se referuar dispozitave kushtetuese dhe atyre për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të ushtrojë kompetencat e verifikimit të ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve, pasi këto i përkasin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

“Për rrjedhojë, të gjitha kërkesat e depozituara pranë KLGJ nga individë dhe institucione shtetërore në të cilat ngrihen pretendime lidhur me shkelje disiplinore të gjyqtarëve, janë administruar rregullisht dhe do t’i përcillen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë me krijimin e këtij institucioni”, sqaron KLGJ.