Grabitja e NOA-s/ Arrestohet dizajneri i kunatit të Lulzim Bashës

Disa ditë më parë në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet ka ndodhur grabitja e një filiali banke për të cilin një ditë pas ngjarjes u arrestua si i dyshuar Deivis Kuqo, ndërsa ky i fundit i ka mohuar akuzat përpara autoriteteve.

Një person hyri i maskuar në bankë ndërsa duke ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike mbi punonjësit me kërcënimin e një shkopi që e mbante në dorë arriti të merrte një sasi prej 60 mijë lekësh si dhe dy telefona celular.

Policia sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, por që pista e cila iu shërbeu për të arrestuar Kuqon ishte deklarata e punonjësve të bankës të cilët shprehën dyshimet se ageresori ishte po i njëjti person me dikë që kishte aplikuar për kredi një ditë para ngjarjes në këtë bankë.

Nga këqyrja e pamjeve të sigurisë, punonjëset dhe policia ngritën dyshime të forta se ishte i njëjti person, ndërsa një ditë më pas i riu që punon si “Dizanjer” u vendos në pranga brenda shtëpisë së tij, ku edhe ju sekuestruan një sasi prej rreht 45 mijë lekësh të dyshuara se ishin paratë e grabitura në bankë.

Ndërkohë tjetër rrjedhë ka marrë ngjarja dhe hetimi për shkak të dyshimeve që ka ngritur organi i akuzës. Ai ka dëgjuar të riun dhe ka arritur deri më tani në konkluzionet se nuk mund të merrej si i mirëfilltë dyshimi se ishte Kuqo autori i ngjarjes nëse nuk sigurohen fakte konkrete.

“Në datën 7 janar unë kam ikur nga vendi i punës rreth orës 18.10, fakt ky lehtësisht i verifikueshëm nga çekimi i kartës hyrëse dhe dalëse. Nga vendi i punës unë kam shkuar në drejtim të Bulevardit, drejt qendrës dhe isha i shoqëruar me shokët e mi. Unë një ditë para kam qenë te banka dhe kam aplikuar për kredi, prita gati një orë sa mbarova procedurat dhe ika. Të nesërmen mora vesh që kishte ndodhur vjedhje, dhe kur pashë fotot, pashë një person që gati kishte gjatësinë time dhe xhup njësoj, por xhupi i tij ndryshe nga i imi kishte kapuç. Ndërsa, xhupi im nuk ka kapuç. Unë jam njeri i rregullt, i punësuar dhe nuk krijoj asnjëherë problem në shoqëri dhe në komunitetin ku jetoj. Unë jetoj me kushëririn tim Markeljan Kuqo, i cili atë ditë ka qenë në punë deri vonë dhe nuk e ka ditur për këtë ngjarje. Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje”, ka thënë 27-vjeçari.

Avokatët kanë pohuar se në datën 7 Janar, Deivisi u largua nga vendi i punës “Land Mark Technologies” që ka si administrator Erion Isufin. Ai del nga zyrat që gjenden në katin e dytë mbas stadiumit “Qemal Stafa” rreth orës 18.10 thonë avokatët, fakt ky sipas tyre, lehtësisht i verifikueshëm nga çekimi i kartës së tij hyrëse dhe dalëse”. Siç kuptohet, i riu që dyshohet nga policia e kryeqytetit ka qenë i punësuar në kompaninë e kunatit të liderit të opozitës, Lulzim Basha, Erion Isufi.

Por çfarë lajmëronte Policia në reagimi fillastar?

Në orën 18.39, D. K ka shkuar në rrugën “Medar Shtylla”, në filialin e një institucioni financiar dhe me anë të ushtrimit të dhunës me një shkop metalik, i ka vjedhur punonjësve të këtij filiali një shumë prej 60 mijë lekësh të rinj dhe aparate celularë”, njoftoi policia pas arrestimit të 27-vjeçarit.

Pretendimet e Policisë në seancat ndaj Kuqos:

Në datën 7 janar 2020, rreth orës 18.15 , në subjektin financiar ‘Noa’, i dyshuari Kuqo duke ushtruar dhunë fizike dhe psikike, duke përdorur një shkop ndaj punonjësve ka vjedhur një sasi parash. Pas realizimit të vjedhjes, i dyshuari u largua me shpejtësi nga vendngjarja. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë vihet re një person me shtat mesatar, me një xhup të gjatë me ngjyrë jeshile, me kapuç dhe me shall me ngjyrë të zezë të vendosur si maskë, duke mbuluar fytyrën deri te pjesa e syve për të mos u identifikuar. Ai hap me forcë derën dhe nën kërcënimin e shkopit që e mbante në dorë realizon vjedhjen e njërës prej kasave, që ndodhet në krahun e djathtë. Pasi merr një sasi parash, largohet me të shpejtë. Punonjësit e këtij institucioni në deklarimet e tyre tregojnë dinamikën. I dyshuari, pasi ka marrë një shumë lekësh, ka marrë edhe dy telefona celularë të punonjësve dhe është larguar. Nga pamjet filmike të një dite më parë, rreth orës 13.00, vihet re një person me biçikletë me ngjyrë të kuqe, i cili manifeston sjellje të dyshimtë përpara se të futet në institucion. Në krahun e djathtë të murit  ku edhe më pas është realizuar vjedhja, ai ka marrë shërbimin e kërkuar, ku dhe ka aplikuar për një kredi prej 80 mijë lekësh.

Duke e konsideruar si një operacion të realizuar me sukses, policia tregoi edhe paratë e sekuestruara në banesën e të riut si dhe dokumentet me të cilat rezultonte se kishte aplikuar për një kredi në bankën në fjalë. Por gjykata nuk ka krijuar bindjen se ky është version i saktë i ngjarjes ndërsa  ka urdhëruar policinë dhe prokurorinë bashkë që të kryejnë hetime shtesë për të krijuar një bindje sa më të plotë, nëse disa rastësi thjesht përputhen apo vërtet dizajneri është edhe hajdut.

LEXO EDHE  Gjobitet nga policia/ Aktori i njohur: Ku e pe shkeljen, të sfidoj ty dhe shefat e tu ta gjeni (Foto)

Mësohet se gjyqtari për këto arsye, paraprakisht ka kërkuar që të mos mbahet në paraburgim ndërsa ka shqyrtuar faktet se në orarin kur ka ndodhur grabitja Deivis Kuqo ka qenë në ambientet e punës ku ushtron profesionin e “Dizajnerit’, tezë të cilën e kanë mbojtuur fuqimisht edhe avokatët, por nga ana tjetër ka kërkuar më parë sekuestrimin e kamerave të sigurisë në sheshin “Italia”, të datës kur ka ndodhur ngjarja për shkak se i pandehuri pretendon se ka patur si itinerar.

Mësohet se avokatët janë shprehur se Deivis Kuqo, një i ri i diplomuar për dizajn mund ta faktojë se në cilën zonë ka lëvizur përgjatë gjithë ditës kur ka ndodhur grabitja.

Nga destinacioni i vendit të punës i dyshuari është larguar në drejtim të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, dhe pastaj drejt qendrës së qytetit dhe ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë që vërtetojnë se praninë e tyre në këtë itinerar. Konkretisht, shtetasit Eno Jaho dhe Renald Vrapi. Të tre së bashku kanë vijuar rrugën deri në qendër dhe më pas janë ndarë nga njëri-tjetri. Eno Jaho në drejtim të rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe Renald Vrapi drejt Porcelanit. Shtetasi Deivis Kuqo ka vazhduar rrugën drejt Pazarit të Ri, ka dalë në rrugën ‘Bardhyl’. Ky itinerar vërtetohet edhe nga deklarata noteriale të lëshuar nga dy dëshmitarët e tjerë”, ka thënë pala mbrojtëse.

Ndërkohë, pavarësisht të gjithave, ndaj 27-vjeçarit është dhënë masa e “Arrestit me burg” deri më datë 11 shkurt ndërkohë që gjatë kësaj periudhë, policia dhe prokuroria të sigurojnë me prova këqyrjen e kamerave të sigurisë në kryeqytet, të dorëzojë ADN-në si dhe të kryejë çdo vlerësim procedurial. /Faxweb