Fushata për informalitetin e pagave/ Është rritur deklarimi për 5536 punonjës në nëntor 2019

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lajmëroi se një fushatë antiinformalitet në sektorin e pagave rezultoi e suksesshme.

Gjatë një inspektimi në terren Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha se prej muajit tetor Administrata Tatimore ka evidentuar riskun e nëndeklarimit të pagave në një grup prej 20 profesionesh.

Për të rritur ndërgjegjësimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve janë dërguar letra të personalizuara sensibilizuese 11.941 tatimpaguesve për 19229 punonjës të tyre, përmes të cilave janë ftuar të ndryshojnë deklarimet, drejt përmbushjes.

Ibrahimaj sqaroi nga afër qasjen e Administratës Tatimore për të mos penalizuar, por ndërgjegjësuar subjektet mbi rëndësinë e deklarimit real të pagave.

Nga monitorimi paraprak i të dhënave të deklaruara vërehet një përmirësim i ndjeshëm në deklarime, ndërsa është rritur paga për 5.536 punonjës ose 34% e punonjësve të deklaruar deri në nëntor 2019. Efekti total për këto tatimpagues është mbi 44 milion lekë për muajin nëntor.

Kjo nisëm e AT për rritjen e deklarimit të pagave do vazhdojë edhe me hapa të tjerë sensibilizues dhe në raste të riskut të lartë do të ndiqet përmes strukturave të Hetimit Tatimor.

Znj.Ibrahimaj siguroi se krahas lehtësirave përmes shërbimeve online, tatimpaguesit do të jenë në qendër të vëmendjes përmes Drejtorisë së Shërbimit për tatimpaguesit në ndërgjegjësimin dhe informimin paraprak mbi elementët e riskut në deklarimet e tyre tatimore.

Gjatë muajit tetor të vitit 2019 Tatimet nisën një fushatë tek bizneset duke vënën në presion kompanitë për të rritur deklarimet e pagave të punonjësve.

LEXO EDHE  E mban mend njeri “mantunë”? / Vaksina kundër turbekulozit po studiohet për t´u mbrojtur nga Covid 19

Njoftimin të ngjashëm morën zyrat e kontabilitetit, klinika mjekësore dhe dentare, por edhe biznese të tjera, ku njoftoheshin për rregullimin e pagave të ekonomistëve, gjinekologëve, kardiologëve, dentistëve etj.

Tatimet kishin lajmëruar një aksion për të formalizuar tregun e punës, pasi në shumë vëzhgime dhe anketa është vërtetuar se ka nën deklarim të pagës sidomos në profesionet e lira në mënyrë që të shmangen tatimet. Mirëpo mekanizimi që kanë zgjedhur tatimet për të luftuar informalitetin në këtë drejtim nuk ka argumentet e nevojshëm dhe provat se sa realisht janë pagat për kompanitë e “dyshuara”.

Me një situatë të ngjashme u ndesh edhe qeveria e Berisha në mandatin e parë, ku për të luftuar informalitetin në tregun e punës nisi aplikimin e pagave të referencës në të gjithë kategoritë e punonjësve në të gjithë sektorët. Kompanitë dhe punonjësit nuk mund të paguanin taksa dhe sigurime me poshtë se niveli i pagave referencë. Mirë kjo politikë e cila binte ndesh me parimet e funksionimit të tregut të lirë, ku përcaktuesi i pagës nuk mund të ishte shteti, e penalizoi Shqipërinë vitet e e mëvonshme në indekset e konkurueshmërisë dhe klimës së biznesit. Paga referencë u shfuqizua më vonë në vitin 2012.

Më vonë në vitin 2015 qeveria tentoi të rikthente pagat e referencës në profesionet e lira, por ky vendim u shfuqizua një vit më vonë nga Gjykata Kushtetuese. /Monitor/