Dokumentet/ Hipokrizia e Shkollës së Magjistraturës, “loja” Sadushi-Dvorani dhe “kapja” e Kushtetueses

Nga Boldnews.al

Shkolla e Magjistraturës ka këmbëngulur për mos-pranimin e ndihmës-ligjore të Gjykatës së Lartë, L.N., si kandidate për magjistrate, për shkak të rezultatit të ulët në testimin teorik.

Ky qëndrim është mbështetur edhe nga Gjykata Administrative. Por ai duket se është tërësisht i ndryshëm me atë që Shkolla e Magjistraturës, e drejtuar nga Sokol Sadushi ka mbajtur për juristen Arta Vorpsi, emri i së cilës shërbeu si shkak për konfliktin institucional Presidencë-Parlament-Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Shkolla e Magjistraturës nuk ka pranuar kërkesën e L.N., pasi ajo, në testin e zhvilluar nga këshilltarët juridikë dhe ndihmësit ligjorë në institucionet kryesore të Drejtësisë, mori vetëm 56 pikë, një nivel më i ulët se sa minimum prej 60 pikësh.

Qëndrimi i Shkollës së Magjistratës u mbështet edhe nga Gjykata Administrative, e cila rrëzoi kërkesën e paditëses L.Z., sipas një vendimi të siguruar nga “Boldnews.al”.

Por, ndërkohë që L.N., nuk u lejua të vijonte Shkollën e Magjistraturës për t’u bërë prokurore apo gjyqtare e thjeshtë, dy jurist të tjera, Arta Vorpsi dhe Elsa Toska, të cilat janë vlerësuar gjithashtu poshtë minimumit të pikëve të nevojshme për të qenë student i thjeshtë, u kualifikuan si kandidatura për në Gjykatën Kushtetuese.

“Boldnews.al ka raportuar më parë për këtë situatë absurde. Por, tashmë, me vendimin e zbardhur të Gjykatës Administrative për ndihmësen-ligjore L.N., bëhet më e qartë skema e mbështetur nga Sokol Sadushi i Shkollës së Magjistraturës e Ardian Dvorani i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, lidhej me emra të përveçëm.

Ndërkohë, ky rast rikthehet sërish në vëmendje, ndërkohë që në fillim të Shkurtit 2020 pritet të mbërrijë në Tiranë një delegacion i Komisionit të Venecias, i thirrur për të dhënë opinion mbi qëndrimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe për të refuzuar kandidaten e mbështetur nga Parlamenti, Arta Vorpsi.

Vendimi i Gjykatës Administrative
Sipas vendimit të Gjykatës Administrative të datës 10 Janar 2019, L.N., këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, ka paditur Shkollën e Magjistraturës, për shkak se kjo e fundit ka vendosur kritere ekstra-ligjore, për pranimin si student për prokuror e gjyqtar.

L.N. ishte pjesë e rreth 50 këshilltarëve ligjore e ndihmësve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Përgjithshme e Gjykatave Administrative, të cilat u përfshinë në testimin “ex officio” për të marrë titullin “magjistrat” të zhvilluar nga Shkolla e Magjistraturës në Maj 2018.

Ligji për “rivlerësimin kalimtar..” (Vetingu) parashikonte mundësinë e kësaj kategorie juristësh të emëroheshin magjistrat, pasi të kualifikoheshin në testimin profesional, si edhe të zhvillonin trajnim 2-vjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës.

Paditësja L.N rezulton të ketë marrë 56 pikë në fazën e parë të testimit me dy pjesë, një vlerësim më i ulët se minimalja prej 60 pikësh. Për këtë arsye, Bordi i Shkollës së Magjistraturës nuk e kualifikoi për të vijuar studimet pranë atij institucioni.

LEXO EDHE  Grupi i Shullazit në marrëdhënie me drejtorin e Veliajt, zbulohet kontrata

L.N. depozitoi padi në Gjykatën Administrative, e cila, në vendim e saj, mbështeti qëndrimin e Shkollës së Magjistraturës. Pra, kandidatja L.N. nuk mund të regjistrohet në atë shkollë, për shkak se nuk ka marrë pikët e nevojshme.

Rasti “Vorpsi”
Arta Vorpsi, këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, ishte gjithashtu një prej juristeve të përfshira në testimin e Shkollës së Magjistraturës, në Maj 2018. Vorpsi, njëlloj si kolegia e saj e Gjykatës së Lartë, L.N., mori 56 pikë në fazën e parë të testimit, vlerësim që ishte nën minimumin e lejuar për të qenë student në Shkollën e Magjistraturës.

Ndryshe nga L.N, juristja Arta Vorpsi nuk aplikoi për të qenë studente në Magjistraturë, me shumë mundësi, duke e ditur se nuk do të regjistrohej për shkak të rezultatit të dobët në testim.

Por, Arta Vorpsi kishte plane të tjera për karrierën e saj. Prej shumë vitesh si këshilltare në Gjykatën Kushtetuese, ajo vlerësoi se kishte ardhur momenti që të fitonte një vend anëtari pranë atij institucioni.

Për këtë arsye, Vorpsi kandidoi për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Megjithëse ajo nuk kishte marrë pikët për t’u kualifikuar si student në Shkollën e Magjistraturës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Ardian Dvorani e kualifikoi atë për të qenë kandidate potenciale për në gjykatën më të lartë të vendit, atë Kushtetuese.

Deri në momentin kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kualifikoi Arta Vorpsin si kandidate për në Gjykatën Kushtuese, situata dukej absurde për shkak të parashikimeve të rrëmujshme ligjore të paketës së Reformës në Drejtësi.

Por, zhvillimet e mëtejshme, të cilat lidheshin me emrin e Vorpsit, u qartësua se gjithçka po luhej në rrafshin politik.

Maxhoranca e majtë u mundua të krijonte një situatë, nëpërmjet të cilës t’i hiqte Presidentit të drejtën për të emëruar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se Meta dekretoi emrin e Marsida Xhaferllarit.

Meta dha arsyet e tij se përse zgjodhi Xhaferllarin, ndërkohë që Kushtetuta dhe ligji nuk e detyron të japë argumenta se përse nuk preferoi emrin e Arta Vorpsit, e cila ishte në krye të listës së dërguar në zyrën e tij nga Ardian Dvorani i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Megjithatë, niveli i ulët i pikëve në testimin professional mund të ketë qenë një prej arsyeve që Meta nuk e preferoi emrin e Vorpsit.

Pas këtij vendimi, maxhoranca socialiste, nëpërmjet një lëvizjeje jo-ligjore dhe me nota groteske, nxiti Arta Vorpsin që të betohej para një noteri publik, nëpërmjet të cilit synohej legjitimimi i saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë, rasti pritet të vlerësohet edhe nga Komisioni i Venecias, i cili, i thirrur nga maxhoranca e majtë, do të japë një opinion të tijin mbi konfliktin Presidencë-Parlament-KED.