Diktatori Setien, ky është ndryshimi kolosal mes tij dhe Valverdes

Quique Setien pati zgjedhjen e jetës në tavolinë nga Barcelona dhe nuk ngurroi të pranonte.

Trajneri, i cili në të kaluarën kishte drejtuar vetëm ekipe të dorës së dytë, tashmë kishte shansin e artë, që zor se mund t’i trokiste dy herë në derë.

Siç edhe u shpreh në fjalët e tij të para kur mbërriti në “Camp Nou”, atij iu deshën diçka më pak se 5 minuta për të vendosur që të pranonte propozimin e drejtuesve katalanas.

Tashmë, kur kanë kaluar gati një javë nga zyrtarizimi i tij si trajner i Barcelonës, shumë gjëra kanë ndryshuar. Setien duket qartë që është i motivuar.

Mjafton të përmendim vetëm një fakt dhe do të kuptoni se sa i motivuar ka ardhur në Katalonjë 62-vjeçari. Stafi teknik i Barçës që nga ardhja e Setien nuk ka shijuar asnjë ditë pushim!

LEXO EDHE  Video/ Aksident i frikshëm në NASCAR, makina shpërthen në flakë

Madje, Valverde kishte planifikuar një festë të mërkurën e 15 janarit të javës së shkuar, por Setien vendosi ta anulonte.

Jo vetëm kaq, pasi një ditë përpara ekipi kishte stërvitje vetëm në mëngjes, por Setien e dyfishoi, duke i kryer ekipit edhe një tjetër seancë pasdite.

Trajneri i ri nuk u mjaftua me kaq, pasi ditën e ndeshjes me Granadën, organizoi një mini-seancë, ku u punua vetëm për presingun.

Gjithashtu këtë javë nuk ka pushime. Edhe pse ishin në fushë mbrëmjen e shkuar, ditën e sotme në drekë, ekipi ishte në një tjetër seancë stërvitore.

Të shtunën  Barça udhëton ndaj Valencias, ndërsa e diela dhe e hëna i gjen përsëri në stërvitje.

Në 14 ditët e para të Setien, Barcelona do të ketë kryer 13 ditë stërvitje. Me pak fjalë, Setien ka sjellë një diktaturë të vërtetë në Barcelonë.