“Programi ekonomik i PD-së, nga ekspertë të huaj” / Tabaku: Rikthejmë taksën e sheshtë…

Partia Demokratike është angazhuar në një faze konsultimesh dhe takimesh me grupet e interesit, në kuadër të përgatitjes së alternativës ekonomike. Ish-deputetja, Jorida Tabaku, tha se PD në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë kanë hartuar një program të plotë, i cili në bazë ka taksën e sheshtë dhe synon ta kthejë vendin në më atraktivin në Ballkan për investime.

Partia Demokratike në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë po harton një program të plotë ekonomik, i cili do të pasurohet në konsultim edhe me grupet e interesit.

Drafti është alternativë e PD-së, nesër në qeveri, ndërsa deputetja Jorida Tabaku, thotë se ai bazohet në taksa të ulta dhe mbështetje për biznesin.

“Është një proces që ka kohë që ka nisur dhe nuk do të ndalojë pavarësisht nëqëoftëse kemi një dokument të përfunduar apo jo. Politika fiskale e PD-së nuk ka asnjë ndryshim dhe as një dyshim që do të jetë taksa e sheshtë. Nuk ka absolutisht asnjë kompromis për këtë sepse ne besojmë në filozofinë e taksës së sheshtë dhe përfitimet që do të ketë për të gjithë grupet e ndryshme nga qytetarët e thjeshtë te biznesi”, tha Tabaku.

LEXO EDHE  FOTO/ Radhë të gjata në sportelet e Postës

Duke parë dështimin me politikat ekonomike të qeverisë, Tabaku thotë se Partisë Demokratike i është shtuar bindja për taksë të sheshtë.

Sipas saj, kjo do krijojë një klimë të favorshme ekonomike.

“Kjo është shoqëruar dhe me një plan të veçantë për nxitjen e investimeve të huaja për ta bërë Shqipërinë vendin më atraktiv për të nisur dhe për të mbajtur një biznes. E gjitha kjo është në shërbim të punësimit, uljes së varfërisë, rritjes së konsumit. E gjitha kjo lidhet me idenë që ka PD për ta bërë Shqipërinë vendin më atraktiv dhe më konkurues në rajon”, u shpreh ish-deputetja e PD.

Partia Demokratike thotë se janë 11 oligarkë që marrin të gjitha paratë e qytetarëve, nëpërmjet tenderave dhe koncesioneve korruptive.

Sipas Tabakut, në vitin 2019 më shume se gjysma e tenderave janë dhënë pa garë dhe në vlerë të fondit limit, e kjo situatë sipas saj ka bërë që edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ta cilësojë sistemin si më të korruptuarin në Ballkan. /Oranews/