Pragsfida Liverpool-Man.United, Solskjaer ndez atmosferën: “Nuk mund të rrimë 24 vjet pa titull si Liverpool-i”

Ole Gunnar Solskjaer nuk pret që Manchester United të kalojë 24 vite pa e fituar titullin në Angli, duke deklaruar se “thatësira” e Liverpool në këtë drejtim duhet të jetë mësim për klubin e tij. Skuadra nga “Old Trafford” e fitoi titullin në Premier League, për herë të fundit, në sezonin 2012-2013, i fundit për trajnerin legjendar, Sir Alex Ferguson. “Djajtë e Kuq” kanë pasur një rënie drastike që nga largimi i skocezit.

Në konferencën për shtyp, norvegjezi, vazhdon të këmbëngulë se po planifikon një të ardhme afatgjatë, pasi kërkon të shmangë të njëjtin fat si Liverpool, i cili vetëm tani, në këtë sezon, mund ta fitojë titullin e parë në epokën e Premier League, pas tri dekadash zhgënjimi: “Kjo është ajo, për të cilën po punojmë shumë, për t’u siguruar që të mos ndodhë. Liverpool duhet të jetë një mësim për ne. Nuk mund ta lejojë veten të kalojnë edhe 24 vite të tjera pa e fituar titullin. Unë besoj në këtë klub, do ta evitojmë fatin që ka pasur Liverpool”.

Kujtojmë se Manchester United shkon në “Anfield” të dielën si skuadra e vetme, që i ka marrë pikë Liverpool-it në Premier League, këtë sezon, falë barazimit 1-1 në “Old Trafford”, në tetor.

LEXO EDHE  U17/ Tirana poker ndaj Partizanit në finale, bardheblutë ngrenë Kupën (Video)