Mes dhimbjesh e lotësh, përcillet në banesën e fundit Xhevdet Ferri

Ditën e sotme u përcoll për në banesën e fundit aktori i njohur Xhevdet Ferri. Aktori, i cili vuante nga një sëmundje e pashërueshme, u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 59-vjeçare.

Pa homazhe zyrtare, në një ceremoni familjare, por me pjesëmarrje shumë të madhe, nga gjithë ata që e deshën atë dhe artin e madh të tij, aktorit të dhjetra roleve iu dha sot në mesditë lamtumira e fundit.

Ferri la pas bashkëshorten dhe një vajzë, ndërsa pak kohë më parë ishte bërë dhe gjysh për herë të parë, por sëmundja e rëndë bëri që të largohej para kohe.

Kush ishte Xhevdet Ferri?

Xhevdet Ferri diplomohet në Akademinë e Arteve, dega e dramës, në vitin 1982 dhe më pas mbetet pedagog i mjeshtërisë së aktorit në këtë Akademi. Vazhdon karrierën akademike deri në detyrën si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademive. Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër. Në teatër ka interpretuar pak role, por suksesin me te madh si aktor ai e ka arritur ne filmin artistik (rreth 13 role).

Pothuajse në të gjitha filmat ka qenë në rolin e protagonistit deputon në vitin 1980 ne “Skëterrë ’43” si Arjani dhe po atë vit në “Vëllezër dhe shokë” duke rënë në sy për rolin e Markos.

5 vjet më vonë në vitin 1985 do të bëhet i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij “Hije që mbeten pas”. Në mishërimin që i bëri figurës se Gorit në filmin tjetër “Dhe vjen një dite”, me të cilin u nderua me medaljonin e festivalit, me 1986, bie ne sy cilësi te tjera interpretive si natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia shoqëruar nga karakteri drejtpërdrejt i të vepruarit. U dallua për një individualitet të veçantë aktoresk.

LEXO EDHE  Trafik droge nga Spanja në Rumani, nën hetim edhe një 'avokat' shqiptar/ Emri

Role të tjera të spikatura për aktorin Xhevdet Ferri janë edhe ai i e Pali në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri ne “Vitet e pritjes” (1990); Me rolin e Sakos, në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arrin sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Është specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oxford. Në periudhën kohore 1996 – 1998 ishte deputet i PD-se në Kuvendin popullor. Në vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë duke qenë edhe Kryetari i pare i kësaj Shoqate.