Padia e Ramës kundër Haradinajt, analistët në Kosovë: E dëmshme për dy vendet

Analistët në Kosovë, e shohin si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve, padinë e kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj Ramush Haradinajt.

Sipas tyre, dy kryeministrat do të duhej të bashkëpunonin për një padi ndaj Serbisë, e cila mohon krimet e kryera në Kosovë, e jo të merren me padi kundër njëri-tjetrit për tema që kanë lidhje me Serbinë.

“Në vend që edhe kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës të padisnin Serbinë për krimet që ka kryer në Kosovë dhe se si me fitu betejën e shqiptarëve ndaj Serbisë, këtë merren me njëri tjetrin. Mund të themi lirisht se është një lloj tragjedie”, shprehet analisti Anton Demhasaj.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, e sheh si personale çështjen dhe thotë se polemikat mes Haradinajt dhe Ramës për korrigjimin e kufijve e kanë përkeqësuar imazhin e kryeministrit shqiptar.

LEXO EDHE  "Terrori neoliberal ndaj grave dhe vajzave duhet mposhtur"

Ndërkaq, analisti Bekim Kabashi e konsideron si absurde padinë e Ramës dhe si një veprim aspak diplomatik ndaj kryeministrit të një shteti vëlla, siç e cilëson.

“Kryeministri shqiptar duket se nuk është koshient për atë që e përfaqëson. Ai nuk është person privat dhe nuk duhet të sillet si i tillë. Është absurde që një kryeministër i Shqipërisë të bëjë padi ndaj një kryeministri shqiptar për deklarata që kanë të bëjnë me raportet Kosovë-Serbi”, shprehet analisti Bekim Kabashi.

Në padinë kundër Hardinajt, Rama pretendon se kryeministrinë largim ka shpifur ndaj tij në kuadër të debateve rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar edhe kompensim të dëmit të shkaktuar.