Mos bëni “testin e idiotit”, por testin e kriminelit

Nga Boldnews.al

Ka habitur një pak shprehja e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe e kryepolicit Ardi Veliu të cilët duke synuar të vejnë “rregull në rrugë” nga shoferët e çmendur, kanë në plan që të bëjnë edhe atë që e quajtën “testi i idiotit”, që në terma më të moderuar, njihet si verifikim psikologjik.

Sipas tyre, vdekjet në rrugë nga aksidentet e rënda vijnë edhe nga papërgjegjshmëria, që në këtë konstatim mund të kenë të drejtë, por enkas e ngatërrojnë “idiotin” që nuk di të ecë, me kriminelin dhe të fortin që lëviz qëllimisht me shpejtësi të lartë, që thyen rregullat, që shkel me makinë mbi trotuar se nuk duron trafikun dhe kur e ndalojnë del se është biri i filanit dhe i afërm i iksit, të pushtetshëm, të lidhur me politikën, apo një emër i dëgjuar që të thyen kokën jo vetëm në para, por edhe me makinë…

Në këtë test, policia ka dështuar, madje as nuk e merr mundimin që të vihet pas atyre drejtuesve të automjeteve që duke përdorur pushtetin dhe paranë, janë një armë shfarosëse në rrugë. Kemi pasur plot politikanë e bij politikanësh të përfshirë në aksidente të rënda me pasojë vdekjen e qytetarëve, por gjithnjë i kanë shpëtuar burgut dhe ndëshkimit.

Ka edhe një katëgori tjetër shoferësh që njihen si “tipat e fortë” që fyejnë policin në rrugë, dhunojnë verbalisht apo fizikisht një tjetër qytetar që ecën në të drejtën e tij. Që mburret me shpejtësinë maksimale që i ka kapur makinës modern të tipit të fundit, të blerë me paranë e drogës apo të korrupsionit.

LEXO EDHE  Gara për kreun e BKH/ Kandidatët nisin përballjen me makinën e së vërtetës

I duhet vënë fre atij tipit të “veçantë” që bllokon rrugën dhe mjetin modest të një qytetari që ka parkuar diku në ndonjë qoshëze, duke paguar edhe faturën e rëndë të Lali Erit të Bashkisë Tiranë, diku nga 40-100 lekë të reja ora e qëndrimit.

Ai tipi i rëndë, me muskuj apo kokërruar, apo djaloshi trendy i politikanit të shpifur, gjenden sot si rrezik në rrugët e Shqipërisë. Kësaj kategorie i duhet bërë testi nga goja për alkool dhe nga hunda për kokainë… Mbi të gjitha u duhet bërë analiza se nga i kanë siguruar paratë për atë mjet modern, që zakonisht është i bëshëm dhe me targa me tre numra të njëjtë. Askush nuk guxon edhe nga ministra apo “spaletëartët” që drejtojnë policinë që të merren me këtë kategori. E dinë fare mirë se ai tipi me automjetin e shtrenjtë është “brumë” i gatuar nga “mielli i bardhë” që tërhiqet me hundë, apo nga pjesa bio e kanabisit.

Nëse policia e ka seriozisht “testin e idiotit” mund të marrë në qafë shumë qytetarë të mirë. Janë ata hallexhinj që kanë punuar orë të tëra për një pagesë që mban me ato pak të ardhura familjen. Polici i del në rrugë dhe ai i stresuar, me 1000 halle në krye mund të dalë jo në rregull me testin psikologjik, pasi ky është vendi ku jetojmë, depresiv, pa të ardhme dhe i mbytur në varfëri dhe me korrupsion që gjithnjë lulëzon e ka shtrirë rrënjë që si shkul dot.