“Luftoi deri në fund”/ Miqtë e Xhevdet Ferrit rrëfejnë përballjen e tij me sëmundjen që i mori jetën

Ndarja nga jeta e aktorit dhe regjisorit Xhevdet Ferri ishte një lajm mjaft i hidhur për familjen, miqtë, kolegët, të gjithë dashamirësit e artit, për ata që e njohën nga afër atë, por edhe për gjithë publikun. Ai ka interpretuar në rreth 30 role, në film e teatër. Më i fundit prej tyre ishte tek filmi “Delegacioni“, që po korr sukses kudo ku prezantohet.

Me rolet brilante përgjatë karrierës së tij, aktori la një gjurmë që nuk do të shlyhet lehtë. Në programin “Rudina” në Tv Klan miq të tij dhe aktorë kanë folur për kontributin në kinematografi, por jo vetëm.

Producenti dhe miku i tij, Petrit Beci tregon miqësinë 40 vjeçare me aktorin.

“Duke qenë një nga miqtë dhe bashkëpuntorët e tij më të gjatë, me Xhevdetin njihem prej 40 vitesh. Që në momentin kur kam filuar punë në kinematografi dhe ai ka filluar punën si aktor, duke qenë akoma sa kishte mbaruar shkollën e mesme dhe pastaj student në Akademi. Jam njohur që në vitet ’80 me Xhodën, se ne jemi mësuar t’i themi Xhoda dhe unë e kam të vështirë t’i them Xhevdeti”.

Në lidhje me sëmundjen që i mori jetën, Beci shprehet se sëmundja iu shfaq në fillim të verës së vitit që lamë pas, por ai ishte gjatë gjithë kohës shumë optimist.

“Normal që kam qenë në dijeni gjatë gjithë kohës dhe ditëve të fundit. Sëmundja iu shfaq në fillimet e verës, bëri një ndërhyrje kirurgjikale, bëri disa terapi dhe ka qenë goxha mirë. Shumë optimist, nuk e tregonte fare atë gjë, nuk i binim fare asaj bisede, pavarësisht se në momente kur ishim vetëm flisnim, por nuk besoj se mund të kishte njeri me aq dinjitet dhe optimizëm”.

Ndërsa aktori, Gazmend Gjoka tregon se ai luftoi deri në fund dhe e mori me pozitivitet sëmundjen.

“Unë do thoja se pavarësisht sëmundjes, Xhoda kishte të kundërtën , e mori me pozivitet, si diçka që duhet kuruar, duhet kryer le të themi, si procedurë mjekësore. Ashtu vërtet, ndërhyrjen që pati e kreu, më vonë pastaj gjatë kohës së kimios, që për hir të së vërtetës dhe për hir të diagnozës ishte e rëndë, por përsëri u rehabilitua dhe e mori veten fizikisht. Ne flisnim me miqtë dhe familjarët, që ai u rikthye edhe zakoneve të jetës së përditshme, jo vetëm mësimit që ishte shumë i përkushtuar dhe punonte me studentët. Sëmundja si në çdo rast që është e pabesë me njeriun, edhe me Xhodën kështu ndodhi. Ai u rehabilitua, erdhi mirë fizikisht, por për punë ditësh u agravua deri në atë pikë sa s’mundi t’i rezistonte”.