“Bosët e krimit po lirohen me dijeninë e Ramës”/ Bardhi: Ja kush e ka rradhën për të dalë nga burgu

Bosët e krimit të organizuar dhe vrasësit më të rrezikshëm po lirohen me dijeninë e Edi Ramës. Denoncimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, sipas të cilit vendimi i Edi Ramës për të shpëtuar nga burgu kriminelët më të rrezikshëm të vendit, janë dëshmia më e rëndë e bashkëqeverisjes së tij me krimin.

“Teatri i marionetave të Ramës, në rolin se qeveria nuk di çfarë bëjnë drejtorët e saj apo gjyqtarët e kontrolluar prej saj,është tallje e ulët me inteligjencën e qytetarëve shqiptarë.

Askush nuk ka dyshimin më të vogël se lirimi nga burgu i bosëve të krimit të organizuar dhe vrasësve më të rrezikshëm është bërë me dijeninë e Edi Ramës.

Shkarkimi i drejtorëve, procedimet e gjyqtarëve apo prokurorëve nuk e zhbëjnë dot faktin se bosët e krimit të organizuar janë jashtë burgut.

Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune.

Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar”, tha Bardhi.

LEXO EDHE  Itali, rritet numri i të prekurve nga koronavirusi

Në vijim të akuzave ndaj Ramës, Bardhi tha se ai është njeriu që mbushi Parlamentin, bashkitë dhe administratën publike, me kriminelë apo përfaqësues të emëruar nga krimi i organizuar.

“Sot, Rama po përdor pushtetin e tij mbi drejtësinë për lirimin e bosëve të krimit të organizuar.

Ministrja Etilda Gjonaj dhe shefi i saj Edi Rama nuk guxojnë as t’u përmendin emrat bosëve të krimit të organizuar, të liruar me dijeninë e tyre.

Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos? Pse nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori?

Krimi i organizuar duhet të goditet me tolerancë zero! Por kjo as ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë, sa kohë vendi drejtohet nga regjimi i kriminalizuar i Edi Ramës.

E vetmja garanci që Shqipëria të çlirohet nga krimi i organizuar dhe bosët e tij të burgosen, është largimi i Edi Ramës!”, tha Bardhi.