Agron Malaj i Matit rrezikon shkarkimin. Çfarë thotë ligji dhe roli i dyshimtë i KQZ-së

Nga Boldnews.al

Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, rrezikon shkarkimin nga detyra, pasi ai mund të konstatohet në kushtet e ndalimit për të qenë drejtues lokal, në bazë të ligjit ‘Për Dekriminalizimin”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, publikoi paraditen e së Enjtes një vendim të gjykatës së Burrelit, të vitit 1999, në të cilin kryebashkiaku i sotëm i Matit, është dënuar me 10 muaj burgim për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Agron Malaj e ka deklaruar këtë dënim në formularin e Dekriminalizimit, në momentin kur ai kandidoi për kryetar Bashkie, në votimet mono-partiake të 30 Qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhje, i cili është institucioni që kryen verifikimin paraprak të formularëve për kandidatët në zgjedhjet lokale, ka konkluduar se Agron Malaj nuk është në kushtet e ndalimit për t’u zgjedhur. Argumenti mbi të cilin është mbështetur vendimmarrja e KQZ-së është fakti se Malaj e ka deklaruar dënimin në formularin e dekriminalizimit.

Por, ky argumentim, në rastin më të mirë, është një vështrim shumë i thjeshtuar i ligjit “Për Dekriminalizimin”.

Ligji i miratuar në vitin 2015 parashikon dy momente, kur një personi i ndalohet kandidimi apo ushtrimi i një detyre publike. Momenti i parë është mos-deklarimi i një dënimi penal. Momenti i dytë përfshin rastet kur, megjithëse një kandidat apo zyrtar publik e deklaron dënimin, ai nuk lejohet të kandidojë apo të ushtrojë funksione publike, kur është dënuar për një kategori të caktuar veprash penale.

Në rastin e Agron Malajt, ai, megjithëse e ka deklaruar dënimin e tij, nuk duhet të lejohej të kandidonte për kryetar Bashkie nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ligji 138/2015, i njohur si “Dekriminalizimi”, parashikon se u ndalohet të kandidojnë personave që janë dënuar për veprën penale që parashikohet nga neni 278, paragrafi i parë “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Kjo vepër penale, e cila në Kodin Penal aktual gjendet në paragrafin e parë të nenit 278, në vitin 1999, kohë kur është dënuar Agron Malaj, gjendej në pozicionin e nenit 278, paragrafi i dytë.

LEXO EDHE  Besojeni ose jo! Koronavirusi i parashikuar në këtë roman që në vitin 1981 (FOTO)

Pra, pavarësisht ndryshimit të pozicioneve, për shkak të amendimeve ndër vite të Kodit Penal, vepra me emërtesën “mbajtje pa leje e armëve luftarake” përfshihet në kushtet e ndalimit për të kandiduar apo për të ushtruar funksione publike.

Gjithashtu, ligji për ‘Dekriminalizimin” parashikon se, janë në kushtet e ndalimit edhe ata persona që, megjithëse nuk kanë kryer veprat penale të listuara, por janë dënuar me vendim të formës së prerë me më shumë se 6 muaj burgim.

Agron Malaj përfshihet edhe në këtë ndalim, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë me 10 muaj burgim.

Pas “tolerancës” së treguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë rasti pritet të investigohet nga Prokuroria e Përgjithshme, pas kërkesës zyrtare që ka depozituar Partia Demokratike në institucionin qendror të Akuzës.

Pas hetimit administrativ të Prokurorisë së Përgjithshme, nëse konstatohet se kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, është në kushtet e ndalimit për ushtrimin e funksionit publik, atëherë i dërgon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për ndërprerjen e mandatit.

Agron Malaj është kryebashkiaku i pestë socialist, i dalë nga votimet mono-partiake të 30 Qershorit, për të cilin Partia Demokratike ka ngritur akuza publike për shkelje të ligjit “Për Dekriminalizimin”.

Më parë, falë denoncimeve të opozitës, kryebashkiaku i sapo-shpallur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, dha dorëheqjen, pa marrë ende mandatin zyrtarisht. Agim Kajmaku i Vorës u shkarkua dhe tashmë është në kërkim, pasi ndaj tij ka një masë sigurimi “arrest me burg”.

Një tjetër kryebashkiak që është në verifikim nga Prokuroria e Përgjithshme, është Mark Babani i Vaut të Dejës. Së fundmi, institucioni qendror i Akuzës ka kërkuar gjurmët e gishtërinjve të kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.