Letra e VV/ Mustafa: Ishte jo zyrtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se anëtarët e kësaj partie janë duke e shqyrtuar letrën e dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndonëse atë e ka konsideruar si jozyrtare.

Ai ka thënë se LDK-ja është e interesuar që ta përfundojë procesin e negociatave rreth marrëveshjes eventuale për koalicion qeverisës, raporton Rel.

“Letrën do ta shohim, nuk e konsideroj që është letër zyrtare dhe përgjigje zyrtare. Ajo që mund të them është që ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces, të gjejmë rrugë për marrëveshje, të themelojmë institucionet dhe mos të vazhdohet kjo agoni e institucioneve. Për këtë ne do të mundohemi të punojmë në mënyrë maksimale. Dhe për këtë kërkoj që edhe Lëvizja Vetëvendosje të japë kontributin e saj”, tha Mustafa.

LEXO EDHE  Kim Mehmeti: Pandjeshmëria e "Rilindësve" të piktorit ka tejkaluar përmasat e patriotizmit të Rilindësve

Komentet e Mustafës pasuan dërgimin e një letre në adresë të Lidhjes Demokratike nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse nuk dihet se çfarë është thënë në të.

Një ditë më parë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka publikuar ofertën e saj për koalicion qeverisës, duke e prezantuar atë si ofertë të fundit.

Mustafa, ka theksuar se nuk është i gatshëm të negociojë më gjatë dhe pret vetëm përgjigjen e Vetëvendosjes rreth kësaj oferte.