Denoncimet ndaj Dollapajt/ Komisioneri Publik: KPK kreu hetim të mangët, KPA të kontrollojë 3 kriteret

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kritikoi hetimin pasuror në shkallën e parë të vetingut për anëtarin e KLP-së, Arben Dollapaj si të papërmbushur në seancën e zhvilluar të enjten përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri paraqiti parashtrimet e tij për 10 denoncime të mbërritura në adresë të Dollapajt, ku tre prej tyre referonin pretendimet se subjekti zotëronte një hotel në Valbonë, kishte ndërtuar pa leje katin e tretë të një vile në Tiranë si dhe kishte përfituar kredi të butë në kundërshtim me ligjin.

“Marrë në konsideratë denoncimet e sipërcituara dhe rezultatet e hetimit administrativ të kryer nga Komisioni, evidentohen mangësi të tilla që nuk përmbushin realizimin e kontrollit të kriterit të pasurisë,” tha Ballhysa, duke shtuar se për këto arsye ka kërkuar një hetim të plotë të pasurive në Kolegj.

Komisioneri kërkoi gjithashtu verifikime shtesë për denoncimet e tjera që hedhin dyshime mbi figurën dhe profesionalizmin e Dollapajt, duke sjellë në vëmendje se edhe ankimi në KPA i përfshinte të tri kriteret.

Prokurori Arben Dollapaj u shpreh i hapur për verifikimin e të gjitha denoncimeve, pavarësisht se tha që nuk ishte njohur zyrtarisht me to.

“Njëri prej tyre [denoncuesve] ka qenë prokuror dhe është shkarkuar,” pohoi Dollapaj pa dhënë identitetin e denoncuesit, për të cilin tha se e kishte informuar vetë gjatë një takimi në rrugë.

LEXO EDHE  Borxhi publik, 2019-a u mbyll me nivelin 65.84 për qind

Përfaqësuesi ligjor i Dollapajt, avokati Viktor Gumi dorëzoi në Kolegj si prova të reja disa CD me pamje filmike, të cilat vërtetojnë sipas tij që mobiljet për arredimin e bujtinës së vëllait dhe të motrës së prokurorit kishin ardhur nga Amerika dhe ishin çdoganuar.

“Janë Made in USA,” tha Gumi. “Është lehtësisht të konstatohen se nuk gjenden në tregun vendas,” shtoi ai.

Avokati Gumi dorëzoi gjithashtu pamje filmike “të pak ditëve më parë” të shtëpisë në Valbonë, që sipas tij tregojnë se apartamenti i Dollapajt është i papërfunduar dhe i ndarë nga bujtina e familjarëve të tij. Ai dorëzoi gjithashtu dokumente të tjera për të ardhurat si dhe deklaratën noteriale të një familjari.

Kryesuesi i trupit gjykues, Ardian Hajdari tha se në KPA kishin mbërritur procedurat e ndërtimit të objektit në Tropojë si dhe të dhëna mbi gjendjen gjyqësore të shtetasit kosovar që i kishte shitur banesën në Selitë vëllait të Dollapajt.

Për t’u dhënë kohë palëve për t’u njohur me dokumentet, KPA shtyu seancën më 4 shkurt, ora 10:00. /BIRN/